Tottenham fiton trofeun e parë në 11 vjet

schedule11:18 - 1 Gusht, 2019

schedule 11:18 - 1 Gusht, 2019

Tottenham fiton Kupën “Audi” në Mynih, në finalen ndaj Bayern. Trajneri Poçetino u shpreh shumë i lumtur, ndërsa në klubin bavarez vazhdojnë polemikat.

Ishte mundësia për të marrë diçka që kishte qenë e pamundur për 11 vjet. Finalja e Kupës “Audi” ishte shansi i madh i Tottenham-it dhe skuadra angleze e shfrytëzoi më në fund.

Triumfi ndaj Bayern, arritur në “Allianz Arena” të Mynihut, solli trofeun e parë që nga viti 2008, atëherë kur skuadra e drejtuar nga trajneri Huande Ramos, fitoi Kupën e Ligës në Angli.

Trajneri Mauricio Poçetino është ambicioz për tituj shumë më të mëdhenj, si Premier Liga apo Championsi, por për momentin le të kënaqet me kaq. Tottenham triumfoi pas gjuajtjes së penalltive, ndonëse ishte pranë suksesit brenda 90 minutave.

Erik Lamela dhe Christian Eriksen i dhanë anglezëve epërsinë 2-0, të cilën ata nuk arritën ta mbanin deri në fund.

Në një ndeshje kuptohet me shumë ndërrime, bavarezët reaguan shpejt, duke shkurtuar menjëherë diferencën me anë të sulmuesit të ri, Arp, dhe duke barazuar më pas me anë të të riut tjetër, Alfonso Davis.

U deshën 11-metërshat për të përcaktuar kampionin e “Audi-t” në 2019, me lojtarët miq që u treguan 100 për qind të saktë, dhe me ata të Bayern-it që gabuan dy herë, me mbrojtësit Alaba dhe Boateng.

Poçetino pati një analizë mjaft pozitive, edhe pse dy ditë më parë ishte shprehur i pakënaqur me klubin për mungesën e përforcimeve.

“Jam shumë i lumtur me paraqitjen ndaj Bayern-it, ashtu siç isha edhe ndaj Realit, – tha ai, – kjo është më e rëndësishmja. Më vjen mirë që e fituam këtë turne. Mora konfirmime të rëndësishme nga të gjithë lojtarët, gjë që besoj se do të na ndihmojë në të ardhmen. Jam gjithashtu i kënaqur që kaluam periudhën e vështirë pas humbjes së finales së Championsit. Ne jemi sportistë dhe duhet të shohim gjithnjë përpara”.

Edhe trajneri i Bayernit, Niko Kovaç, nuk u shpreh i pakënaqur.

“Ishte një turne pozitiv, siç ka qenë gjithë periudha e përgatitjeve të verës, – tha ai, – të katër skuadrat luajtën futboll sulmues, dhe u shënuan shumë gola. Pra, tifozët u trajtuan në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk jam i kënaqur që humbëm, por jam i kënaqur me gjendjen e përgjithshme të skuadrës. Kemi edhe disa javë për të harmonizuar plotësisht lojën tonë. Lojtarët tanë të rinj bënë një punë shumë të mirë”.

Gjithsesi, tek Bayern-i gjendja vazhdon të mos jetë tërësisht e qetë. Edhe drejtori sportiv, Salihamixhiç, iu bashkua kritikave të shefit ekzekutiv, Rumenige, për trajnerin pas fjalëve të këtij të fundit për Leroi Sanenë.Tifozët shpresojnë që kjo polemikë të mos ndikojë tek skuadra./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!