Totri humbi betejën me sëmundjen, Ruçi mesazh ngushëllimi: Ia kushtoi jetën Shqipërisë, Mirditës e njerëzve

schedule17:10 - 1 Shtator, 2020

schedule 17:10 - 1 Shtator, 2020

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka ngushëlluar familjarët e ish-deputetit Ndue Totri, i cili u nda nga jeta ditën e sotme.

Në një letër ngushëllimi dërguar familjarëve, Ruçi shkruan se lajmin e ndarjes nga jeta e mori me trishtim ndërsa shton se ishte një nga inxhinierët dhe specialistët e shquar të Shqipërisë, që ia kushtoi jetën Shqipërisë, Mirditës dhe njerëzve.

Lexo edhe: Ndahet nga jeta ish-deputeti shqiptar, humb betejën me sëmundjen e rëndë

Më tej, Ruçi shkruan se Nduen do ta kujtojmë me dhimbje, mall e respekt të thellë “për shërbimet që i ka bërë Mirditës së tij të dashur dhe të gjithë Shqipërisë, ekonomisë, shoqërisë, komunitetit, minatorëve, qytetarëve dhe të gjithë atyre me të cilët ka ndarë përkushtimin dhe sakrificat e tij për Shqipërinë”.

Letra e Plotë:

“Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Ndues, bashkëshorti, babait, vëllait dhe njeriut tuaj të shtrenjtë dhe ish kolegut tonë të dashur deputet të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndue Totri është një nga inxhinierët dhe specialistët e shquar të Shqipërisë, që ia kushtoi jetën Shqipërisë, Mirditës dhe njerëzve.

Kudo ku shërbeu si inxhiner në industrinë minerale, si funksionar publik në niveletet lokale e qendrore, dhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë gjatë legjislaturës 1991-1992, është shquar për profesionalizmin e spikatur, përkushtimin e lartë, shpirtin e madh dhe zemrën e gjerë.

Nduen do ta kujtojmë me dhimbje,  mall e respekt të thellë për shërbimet që i ka bërë Mirditës së tij të dashur dhe të gjithë Shqipërisë, ekonomisë, shoqërisë, komunitetit, minatorëve, qytetarëve dhe të gjithë atyre me të cilët ka ndarë përkushtimin dhe sakrificat e tij për Shqipërinë.”

Totri me profesion inxhinier nuk mundi dot ta fitonte betejën disavjeçare me një sëmundje të rëndë. Ai ka qenë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën e viteve 1991-1992. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!