Torovica ende nën ujë, dëme të mëdha në të mbjella, fermerët: E humbëm grurin dhe jonxhën

schedule15:21 - 29 Nëntor, 2022

schedule 15:21 - 29 Nëntor, 2022

Nga Gjergj Figuri

Reshjet e shiut kanë pushuar, por fushat në Torovicë të Lezhës vazhdojnë të jenë të përmbytura. Hidrovori i Balldrenit nuk ka kapacitet për të tërhequr ujin.

“Në këto kushte që është toka e Torovocës më vjen keq që të kujtoj partinë e punës se për dy ditë e largonin ujin. Nuk ekzistonte asnjë pikë ujë në sipërfaqe të tokës. Sot në këto kohë është katastrofë se ka kushte teknologjike më të përparuara. E nuk dihet kur do të tërhiqet uji se ka një javë. Shpresojmë mos bjerë më shi, të verë dorën Zoti që të thahet vetë.“

“Nuk fusin eskavatorët të heqin ujin se ju dhimbset nafta.”

ABC mëson se nevojitet një Hidrovor i ri, me pompa që të jenë të arritshme në këtë fushë.

Kjo situatë ka shkaktuar dëm të madh për bujqësinë dhe kosto për fermerët e kësaj zone.

Fermerët thonë se dhe këtë vit e humbën grurin dhe jonxhën. Ata dhe bagëtitë e tyre do të kenë vështirësi të ushqehen.

“5 dynymë i kam grurë dhe 3 dynym jonxhë. Lopën do ta kullos rrugëve, s’ka ardhur njeri të na shohë.”

“Kemi bukën e gojës grurin dhe jonxhën për blegtori. Shpenzimet kot mbjell, mos korr. Të vijë dikush të na shohë për një dëmshpërblim, se ne nuk kemi burime të tjera. Pothuajse falimetuam.“

“I bëj thirrje Pjerin Ndreut të nxjerrë komisionin të shohin dëmet. Se erdhën votat jam i majtë 100% do më bëjnë të kaloj në krahë të kundërt. “

Drejtoria e Bujqësisë nuk ka publikuar një raport për situatë aktuale të tokava që janë ende nën ujë. Ndërsa bilanci i dëmeve nuk është përllogaritur. /Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!