Toronto mund Milwaukee-n

schedule18:28 - 8 Janar, 2019

schedule 18:28 - 8 Janar, 2019

Toronto fitoi një duel pretendentësh në basketbollin amerikan. Kanadezët ia dolën në fushën e një kundërshtari të fortë si Milwaukee.

Mund të shënosh 43 pikë, mund të kapësh edhe 18 topa në tabela, dhe sërish të humbësh. Kështu i ndodhi yllit të madh të Milwaukee, Janis Antetokumpo, që pësoi disfatë në shtëpi në përballjen ndaj Torontos në NBA.

Ishte dueli i dy pretendentëve të rinj për titull, skuadra të shkëlqyera që duan t’i japin fund dominimit të Golden Stejtit e të Lebron James, e të mos lejojnë superfuqitë e vjetra si Lakers e Boston, që të ngrenë kokë.

Përballja ishte e një niveli të lartë, dhe u fitua nga formacioni më i mirë, me rezultatin 123-116. Përballë një superlojtari si Antetokumpo, kanadezët vendosën të paktën tre basketbollistë shumë të mirë.

Koui Leonard udhëhoqi Toronton me 30 pikë, 6 topa në tabela, 6 asistë dhe 5 vjedhje topi. Krah tij edhe Paskal Siakam me 30 pikë, dhe Serzh Ibaka me 25 pikë, 9 topa në tabela e 5 asistë.

Jo vetëm kaq, por miqtë kishin edhe Fred VanVlitin me 21 pikë, si dhe Deni Grinin në nivel të lartë. Ishte formacioni titullar që e fitoi ndeshjen për kanadezët.

Nga ana tjetër, lojtarët e Milwaukee nuk e ndihmuan dot sa duhet kapitenin e tyre, edhe pse Midëlton, Brogdon apo Bledso nuk luajtën keq. Të dyja skuadrat mbeten në dy vendet e para në Konferencën Lindore, duke qenë pretendente të forta për të luftuar për titull këtë sezon. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!