Toronto tregoi ambiciet e saj këtë sezon në basketbollin amerikan, duke fituar në fushën e Golden Stejtit. Skuadra kanadeze triumfoi me 20 pikë epërsi.
Nuk ishte nevoja as për yllin kryesor.
Toronto Raptors i dha një mesazh të fortë NBA-së, madje në fushën e kampiones në fuqi, Golden State. Fitorja 113-93 ishte aq e thellë dhe aq bindëse sa duket se ndryshoi edhe parashikimet për fitoren përfundimtare të titullit. Skuadra kanadeze dominoi me lojën e saj, në sulm e në mbrojtje, duke mos e ndjerë aspak mungesën e lojtarit numër 1, Koui Leonard, i cili ishte i dëmtuar.
Për më tepër, përballoi edhe daljen nga fusha po për dëmtim të lituanezit të fortë, Jonas Valanciunas. Kyle Lowry udhëhoqi miqtë me 23 pikë e 12 asistë, Serg Ibaka shtoi 20 pikë e kapi 12 topa në tabela, ndërsa bashkë me ta, ishin edhe Grin, Siakam dhe VanVlit.
Përse u mund Golden State, aq shumë i talentuar?
E qartë që në NBA, ashtu si në çdo sport, duhet edhe vullneti dhe dëshira për të fituar, dhe këto I pati më shumë Toronto, që fitoi shumicën e dyluftimeve dhe dominoi tabelat. Vetëm Kevin Durant e justifikoi veten nga vendasit, me 30 pikë 7 topa në tabela e 5 pasime për kosh. Kjo ishte fitorja e parë e kanadezëve në Arenën e Oklendit që nga viti 2004, diçka vërtet e madhe.
Toronto kryeson Konferencën Lindore me 23 fitore e 7 humbje, duke qenë skuadra më e mirë e kampionatit. Gjithsesi, edhe një fitore e tillë mund të mos mjaftojë, pasi prej vitesh Raptorsët janë në nivel tepër të lartë, por dështojnë gjithnjë në play off./abcnews.al