Topi: Grekët nuk i akuzoj për asgjë, e kanë mbështetur Shqipërinë pa kushte

schedule22:48 - 21 Dhjetor, 2021

schedule 22:48 - 21 Dhjetor, 2021

I ftuar në studion e “Log.” me Endri Xhafon, ish-presidenti Bamir Topi duke komentuar situatën politike në vend, është ndalur edhe tek krisja e marrëdhënies se Lulzim Bashës me Ilir Metën. Pak javë më parë në studion e “Log.” Meta akuzonte Lulzim Bashën për lojë të dyfishtë për marrëveshjen e detit me Greqinë në vitin 2009.

Lidhur me këtë, Topi kujton se marrëdhëniet e tij me Metën, kanë qenë korrekte. Sa i takon pozicionit të Bashës në atë kohë, ai thotë se ka qenë ministër i Jashtëm dhe kishte përgjegjësi, duke i dhënë të drejtë Metës.

“Me Metën marrëdhëniet kanë qenë jashtëzakonisht korrekte. Bile edhe në kohën e krizës së marrëdhënieve me Berishën, Meta tentonte ti zbuste. I jap të drejtë në atë që tha. Shaban Murati është një nga njohësit më të mirë të çështjeve ballkanike.

Është një njeri që mund të kishte marrë edhe titull akademik. Studiues shumë i kujdesshëm, ajo që tha është një akuzë shumë e rëndë për qeverinë e kohës. Bëri një gabim fatal që nuk mori plotfuqishmërinë nga presidenti që unë të certifikoj grupin negociator. Në atë kohë grupi drejtohej nga ish zv.mintri i jashtëm, zoti Ferit Hoxha. Defekti i madh i politikës bëjnë gjëra që kushtetuta nuk ta jep shancin. Këto shkojnë dhe negociojnë për çështje të interesit kombëtar pa marrë mendimin e presidentit. Duhet të vijnë, se presidenti ka instrumentin e supervizionit të grupit negociator.

Nëse unë jam shprehur pas deklaratës së zotit Basha, kur erdhi Bakojanis. Unë isha i qetë në pozicionin tim sepse isha i bindur se nuk kisha nevojë, ata le ta bëjnë negocimin dhe unë do ua rrezja me një argument kushtetues. Opozita e çoi në GJK dhe e rrëzoi. Cili është roli i Bashës? Ka qenë ministër i jashtëm dhe nuk mund ta përcjellë tek të tjerët. Jo domosdoshmërisht duhet të jesh ekspert. Ishin abuzuvistë me detyrimin kushtetues”, deklaroi Topi.

I pyetur nga Endri Xhafo nëse ajo marrëveshje erdhi për të marrë “Po-në” greke, ndërkohë që Shqipëria u anëtarësua në NATO, ish-presidenti thotë se palën helene nuk mund ta akuzojë për asgjë. Sipas tij, Greqia gjithnjë e ka mbështetur Shqipërinë pa kushte.

“Po të jap një deklaratë të fortë. Në të gjithë eksperiencën time unë nuk mund t’i akuzoj grekët për asgjë. Grekët, politika e kanë mbështetur integrimin e Shqipërisë qoftë në NATO edhe në BE pa kushte. Po më treguat një kusht”, -deklaroi Topi. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!