Tomor Alizoti: Protesta nesër bën më shumë jehonë, prandaj duhet bërë

schedule20:13 - 5 Dhjetor, 2022

schedule 20:13 - 5 Dhjetor, 2022

Deputeti i PD-së, Tomor Alizoti ishte i ftuar këtë të hënë në emisionin “Radari Informativ” në Abc i gazetares Juli Xhokaxhi ku foli për primaret, pretendimet për manipulimin dhe protestën e ditës së nesërme, kur do të mbahet dhe Samiti i BE-së në Tiranë.

I pyetur nga gazetarja lidhur me pretendimet e Sazan Gurit, ai tha se procesi ka qenë i rregullt por sipas tij “jemi një shoqëri që s’e pranojmë dot humbjen”. Teksa u pyet për protestën e nesërme të opozitës, ai tha se duhet bërë pasi merr më shumë jehonë në publik.

Intervista:

Xhokaxhi: Ajo që bëri përshtypje është ajo që konsiderohet ndotja e procesit. Sazan Guri pretendon se janë vjedhur votat….

Alizoti: Ne pretendojmë jashtë mase. Pretendimi tek ne është elementi jonë i parë pa bërë asgjë që të kthehet në realitet. Justifikojmë çdo situatë. Di që në Berat procesi ka qenë i rregullt, i kam lënë demokratët të ndihen të lirshëm. Tani është mirë që ka kritika. Primaret ishin një proces i ri. Jemi një shoqëri që s’e pranojmë dot humbjen dhe kjo vjen nga përvoja me demokracinë. E shikojmë si tragjedi dhe e dyta, s’kemi përvojë teknike për përfshirjen e garave. E përshëndes një garë të tillë se ka trembur kandidatët, ta marrin seriozisht garën. Në Tiranë kemi njerëz nga shoqëria dhe janë në garë.

Xhokaxhi: Sa të besueshme e bëjnë procesin këto pretendime?

Alizoti: Nuk flas dot për rastin në fjalë, nuk jam përfshirë në proces. Nuk jemi parti suedeze, gjermane, as angleze, jemi shqiptare me të gjithë problemin që ka politika shqiptare. Nëse i referohemi partisë nënë, s’ka fare zgjedhje.

Xhokaxhi: A janë kandidaturat e duhura?

Alizoti: Patjetër që po, më pëlqejnë janë të këndshëm. Janë njerëz që kanë guxuar. Erion Veliaj në sytë e mi është një njeri që fjala e tij është deri në 100 fjalë. S’e shikoj qytetarin nr 1. Mund të shoh këdo por atë jo.

Xhokaxhi: Përballë Veliajt një politikan apo…

Alizoti: S’kam ndërhyrë fare as në qarkun tim, e vendosin demokratët. Do të mbështes kushdo që të dalë. Mjafton të duken etik në një garë të vështirë me një sistem me blerje, me media e shumë të tjera, të jenë të drejtë dhe të suportojnë kauzën e PD-së.

Xhokaxhi: Disa lënë mandatin për të kandiduar me 14 Maj. E para duket si një lloj besimi i tepruar në fitoren e zgjedhjeve të pushtetit vendor duke qenë një administratë prej 9 vitesh dhe e dyta mos po dobësohet grupi parlamentar i PD-së?

Alizoti: Parlamenti është një problem i madh sepse nuk flasim kur duam dot. Përçarja e grupit parlamentar ka bërë të kemi probleme me kohën. Ai parlament ka mungesë cilësie. Sot isha në parlament, shikoj qeverinë dhe grup ministrash që dhe emrin e lexojnë në letër. Është një festival, një skeç i Cekes, festival recitimi, dalin dhe recitojnë dhe emrin e tyre. Është mizerabël dhe kryeministri që ka një nivel akoma më mizerabël. Opozita ka më shumë cilësi por është e pamundur të artikulosh në parlament. Kemi problem kohor për të folur dhe ku është serioz.

Xhokaxhi: Ju po e ndjeni problemin brenda grupit tuaj parlamentar sa thellohet me zgjedhjet e 14 Majit?

Alizoti: Shpresoj në një zgjidhje por ka dhe një gjë dhe po shohim se procesi është një pjesë e madhe. Ne duhet të bëjmë realisht për vendin sepse kryeministri është në revanxhë. Ka filluar të kapë median dhe perceptimi duhet të shpëtojnë vendin dhe veten nga një tirani moderne. Sot është më i rrezikshëm, Rama është bërë i rrezikshëm, zërat kritikë janë pakësuar sepse vendi është i varfër sepse ata që punojnë nëpër media kërcënohen dhe Shqipëria do të shkojë në autokraci.

Xhokaxhi: Çfarë është duke bërë opozita?

Alizoti: Po bën atë që mund të bëjë brenda vetes së saj. Këto primare janë një gjë e mirë. Procesi në qendrën e Tiranës është ndjekur nga e gjithë Tirana. Kjo është një risi.

Xhokaxhi: Fitues është ai që ka caktuar Berisha?

Alizoti: Gara është e fortë, gara vazhdon. Politika është perceptim dhe kundërshtarët luajnë me këtë.

Xhokaxhi: A do të ndikojë në votë ai perceptim?

Alizoti: Demokracia është një produkt elitar, ky popull jemi ne, anojmë nga privitizmi. Për demokracinë duhet të veprosh, shikoj mendimtarë se protesta nuk duhet të jesh e dhunshme…demokracia është zemërim në mënyrë institucionale. Nëse në Paris thyhen xhamat, nuk u thyekan në vendin e pellazgëve. Pra që të pretendojmë se nuk zemërohemi për një vend që është degraduar dhe një prind që merr fëmijën në gomone.

Xhokaxhi: Nesër ka protestë dhe mblidhet samiti i BE-së. Një protestë që bëhet pa leje, kundër BE, që nxjerr PD si anti-evropiane. Berisha u kujdes të mbante flamurin dhe theksoi se nuk e kemi me Evropën. Çfarë perceptimi mund të tregojë?

Alizoti: Perceptimi është problemi i perceptuesve, njerëzit të votojnë si të duan. Nëse shqiptarët ndihen mirë dhe janë të pasur, Shqipëria është si BE, le ta mbështesin Edi Ramën nëse duan të ndërtojnë një shtet artificial, le të mos protestojnë. S’më intereson më shumë as Evropa përpara Shqipërisë. Evropianët janë njerëz që guxojnë dhe protestojnë dhe jo që servilosen. Evropa është vlerë, revoltë dhe produkt i njerëzve që kanë guxuar. Jam për protestë derisa çdo qeveritar të mos ndihet komod. Pse të mos bëhet? Protesta nesër merr më shumë jehonë prandaj duhet bërë, jehonë në publik.

Unë protestoj për këto arsye, për padrejtësinë dhe për makiazhin se Shqipëria është Evropë. Nuk është bërë hollivudi nr dy në Shqipëri. Sot Shqipërinë se rrezikon as e majta as e djathta, e rrezikon banaliteti, horrliku, me njerëzit me mendje rrugëve dhe njerëzit pa mendje në pushtet. Prandaj ikin shqiptarët. Ke dëgjuar një fjalim për energjinë në parlament, Shqipëria ka diell, ujë, rryma ajri…asnjë diskutim vetëm gallatë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!