Federata Shqiptare e Futbollit po bëhet gati të organizojë një tjetër turne europian të UEFA-s, jo i pari për këtë vit. Pas organizimit të suksesshëm të turneut ‘UEFA Development’ për moshën U-15 për vajza pak ditë më parë, FSHF do të organizojë të njëjtin turne për djemtë e moshës U-15 në datat 29 tetor – 4 nëntor.
Një turne zhvillimor që i jep mundësinë kuqezinjve të vegjël të masin forcat me bashkëmoshatarët e tyre. UEFA ka vendosur që ky turne të zhvillohet në vendin tonë, teksa veç Shqipërisë U-15 do të marrin pjesë edhe Hungaria, Kosova e Maqedonia e Veriut. Jo vetëm sfidat e turneut, por edhe seancat stërvitore të të gjitha ekipeve do të zhvillohen në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në Tiranë në datat 30 tetor, 1 dhe 4 nëntor.
Shqipëria U-15, e drejtuar nga trajneri Armand Dama do të nisë grumbullimin më 27 tetor në kryeqytet, ku kuqezinjtë e vegjël do të zhvillojnë edhe seancat stërvitore në prag të këtij turneu të rëndësishëm e zhvillimor për këtë grupmoshë.
Turneu do të nisë më 30 tetor, me Shqipërinë që do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Kosovës në ora 14:00, ndërsa në po të njëjtën ditë, Maqedonia e Veriut do të sfidojë Hungarinë në ora 11:00. Takimet e dyta të këtij turneu do të luhen më 1 nëntor, me sfidën Hungari– Kosovë që do të zhvillohet në ora 11:00, teksa kuqezinjtë tanë do të luajnë ndaj Maqedonisë së Veriut në ora 14:00. Sfidat e fundit në grup do të luhen më 4 nëntor, me Kosovë – Maqedoni e Veriut që do të luhet në ora 11:00 ndërsa Shqipëria luan ndaj Hungarisë në ora 14:00.
Në ditët në vijim do të bëhet publike edhe lista e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Armand Dama. Pak ditë më parë, kuqezinjtë e vegjël zhvilluan një ndeshje miqësore me Pepa U-16 në Elbasan. /FSHF