Tjetër tragjedi në futboll, Juan Izquierdo humb jetën pas kolapsit në fushë

schedule18:16 - 28 Gusht, 2024

schedule 18:16 - 28 Gusht, 2024

Ditë të tilla urojmë të jenë sa më të pakta.

Gjithsesi, tragjeditë në futboll vazhdojnë të ndodhin dhe këtë herë kjo ngjau në Amerikën Latine.

Një lojtar uruguajan u shua në spital në Sao Paulo pasi u rrëzua në fushë gjatë ndeshjes çerekfinale të Copa Libertadores, mes Sao Paulo dhe Nacional de Montevideo.

Në minutën e 83’-të, Juan Izquierdo ra pa ndjenja në terren, dhe mjekët zbuluan se ai pati atak kardiak për shkak të aritmisë në zemër. Ai kishte hyrë në fushë në pjesën e dytë për të zëvendësuar një shok të skuadrës uruguajane që ishte dëmtuar.

Edhe pse u dërgua në spitalin izraelit “Einstein” në qytetin e madh brazilian, dhe u mjekua në mënyrë intensive, Izquierdo nuk mundi të mbijetonte.

Mbrojtësi 27-vjeçar nuk kishte pasur më përpara probleme me zemrën, siç duket të paktën nga karriera e tij prej rreth 7 vitesh si futbollist profesionist.

Klubi i tij, Nacional de Montevideo dha njoftimin e rëndë duke shprehur gjithë keqardhjen për familjen e futbollistit.

Ngushëllime edhe nga Federata e Futbollit e Amerikës së Jugut, CONMEBOL.

Juan Izquierdo luajti në karrierë për disa skuadra si Cerro, Penarol, Montevideo Wanderers, Atletico San Luis, Liverpool de Montevideo dhe Nacional, me 111 ndeshje gjithsej në elitën e futbollit uruguajan. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!