Nga Elton Nikaj
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Bashkiak të Vlorës nuk do të dalë në pension, por do të vijojë të ushtrojë detyrën që ka mbajtur deri tani.
Mbledhja online e këshillit bashkiak të Vlorës rrëzoi kërkesën e Dritan Lelit, që refuzoi për herë të dytë të ishte i pranishëm duke e ndjekur online. Mbledhja e këshilltarëve sot u bë në sallën “Rilindja” të universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë.
Por si nisi?
Kryetares së këshillit Bashkiak të Vlorës si dhe anëtarëve të këshillit bashkiak i shkoi një kërkesë ditën e djeshme nga bashkia e Vlorës për njoftimin e daljes në pension të sekretarit të përgjithshëm të këshillit Bashkiak Agron Gjipali pasi ai ka mbushur moshën e pensionit. Shkresa i kërkonte anëtarëve të këshillit bashkiak të Vlorës të zgjedhin një sekretar të ri të përgjithshëm.
Anëtarët e këshillit bashkiak të Vlorës e konsideruan këtë gjë tendencioze sidomos tani që ka tensione midis palëve. Sipas tyre këshilli bashkiak i Vlorës është i vetmi institucion i cili mund të shkarkojë sekretarin e përgjithshëm dhe të emëroj një të ri.
Këshilli bashkiak, po sipas tyre është gjithashtu i vetmi institucion i cili mund të zgjasë në detyrë sekretarin e përgjithshëm apo të emëroj një të ri. Sipas tyre Gjipali duhet të qëndroj në detyrë derisa të gjendet një profesionist i ri që mund ta zëvendësoj dhe jo të pushohet nga detyra menjëherë.
Anëtarët e këshillit bashkiak me 40 vota pro dhe 2 kundra miratuan vijimin në detyrë të sekretarit të përgjithshëm. Ndërkohë Leli jo i pranishëm fizikisht, por virtualisht tha se Gjepali nuk është shkarkuar, por ka mbushur moshën e pensionit.
“Dua të sqaroj opinionin publik, në këtë mbledhje jashtë radhe online, se sekretari i Këshillit Bashkiak, edhe pse i emëruar nga Këshilli i Bashkisë nuk ka statusin e anëtarit të këshillit që zgjidhet nga populli. Funksionet e tij janë administrative dhe pozicioni nuk ka mandat kohor. Marrëdhëniet e sekretarit rregullohen nga legjislacioni i punës. Më poshtë, do të gjeni të gjithë shpjegimin e nevojshëm, referuar çdo hallke ligjore, lidhur me këtë rast” tha ai.
Kjo është hera e dytë që kryebashkiaku nuk shkon në përballje, pasi herën e parë refuzoi mbledhjen në teatrin “Petro Marko”, ku socialistët do i bënin “gjyqin” publik. Dritan Leli është kryetar i Bashkisë Vlorë që nga viti 2015 dhe është duke ushtruar tani mandatin e dytë.
Rrugët e kryebashkiakut dhe kryeministrit Rama u ndanë në mars të këtij viti, kur Leli nuk pranoi të dorëhiqej si kryebashkiak dhe të kandidonte për deputet, ndërsa prej disa javësh kundër tij ka pasur një sulm kryesisht nga deputetët socialistë të qarkut bregdetar që e akuzojnë për gjendjen e infrastrukturës dhe jo vetëm në qytet. d.b/Abcnews.al

