Tjetër largim nga Ballkani, anësori i mbrojtjes i bashkohet Ajetit te CFR Cluj

schedule21:56 - 22 Maj, 2024

schedule 21:56 - 22 Maj, 2024

Pas kapitenit Edvin Kuç, edhe zëvendës-kapiteni i Ballkanit, Armend Thaqi ka konfirmuar largimin nga skuadra. Mbrojtësi i djathtë deklaroi se finalja e Kupës, të cilën Ballkani e fitoi ndaj Prishtinës, ka qenë ndeshja e tij e fundit me fanellën e skuadrës nga Theranda.

Thaqi do të transferohet në kampionatin rumun CFR Cluj, ku aktivizohet edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, teksa emrin e skuadrës së re e zbuloi vetë mbrojtësi 31-vjeçar.

“Kjo final ishte edhe ndeshja ime e fundit me Ballkanin, pasi do të hedh një tjetër hap në karrierë sezonin e ri. Skuadra ime e re do të jetë rumunia Cluj, ku do të transferohem këtë verë”,- u shpreh Thaqi, pas fitores së Kupës së Kosovës.

Ndërkaq, kujtojmë se mbrojtësi i djathtë, që në karrierë ka luajtur edhe me Prishtinën e Gjilanin, ka veshur fanellën e Ballkanit në verën e 2020-ës dhe prej katër sezonesh ka qenë titullar i padiskutueshëm, duke dhënë një kontribut të madh në arritjet e skuadrës, përfshi edhe tre tituj kampionë radhazi në Kosovë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!