Drejtuesit e futbollit italian po diskutojnë shumë opsione për sezonin që është ndërprerë prej koronavirusit. Një ndër hipotezat është ajo e pezullimit përfundimtar të kampionatit, duke marrë për bazë renditjen aktuale.
Diçka e tillë do ndikonte që titulli kampion të shkonte për Juventusin, skuadër që kryeson me 1 pikë më shumë se Lazio. Opsion që kundërshtohet në masë nga tifozët dhe… Andrea Agnelli. Presidenti e ka shprehur qartë mendimin e tij me një klikim në rrjetet sociale.
“Titulli në tavolinë? Do të ishte diçka e mrekullueshme, por më e mrekullueshme do të ishte nëse ne themi ‘jo, faleminderit’”, shkruan “Laterza Stella”, që i përket një grupimi tifozësh të Juventusit. Agnelli i ka dhënë like këtij komenti të ultrasve, veprim që e ka bërë vetëm 13 herë në tetë vite që është i pranishëm në Twitter. /abcnews.al