“Titulli është objektivi ynë i madh”, Inzaghi: Inter është gati të luftojë për “scudetto”

schedule20:56 - 25 Korrik, 2023

schedule 20:56 - 25 Korrik, 2023

Pas një sezoni mjaft të suksesshëm ku arritën të fitonin Kupën dhe Superkupën e Italisë, si dhe u rikthyen pas 13 vitesh në finalen e madhe të UEFA Champions League, duket se tekniku i “zikaltërve” të Inter, Simone Inzaghi nuk është i “kënaqur” me skuadrën e tij dhe këtë vit do të arrijë më shumë.

Nga Osaka e Japonisë, ku është duke zhvilluar turin para-përgatitor të miqësoreve për sezonin e ri, tekniku italian foli për pritshmëritë e këtij sezon, teksa theksoi se Inter këtë sezon duhet të luftojë me patjetër për titullin kampion, si dhe të rikonfirmojnë dominimin e tyre në Evropë, për të vazhduar kështu ecurinë e mirë e futbollit italian në kompeticionet evropiane.

“Sezoni i kaluar ishte i mirë, kemi fituar Kupën e Italisë, Superkupën dhe luajtëm në finalen e Champions League, që mbetet gjithmonë një rezultat shumë i madh. Jemi rritur shumë në nivel europian në krahasim me vitin e parë, nuk të ndodh çdo vit që të arrish në finale. Interit nuk i ndodhte prej 12 vitesh ndaj është një motiv krenarie.

Këtë vit duam të rikonfirmohemi në Europë, do ta provojmë përsëri, edhe pse e dimë se do të jetë shumë e vështirë. Titulli është objektivi ynë i madh, po përforcohemi dhe po përgatitemi që të luftojmë. Kemi shpresa që të fitojmë titullin kampion

Ekziston një mendim i përgjithshëm, se italianet bëjnë “katenaço”, por sipas mendimit tim, po përmirësohemi shumë dhe këtë e tregojnë tre skuadrat italiane në finalet e Europës. Në Serinë A janë 20 skuadra, 10 luajnë me mbrojtje me katër dhe 10 luajnë me tre. Mua rreshtimi 3-5-2 më ka dhënë garanci të mëdha, por ne trajnerët jemi gati për gjithçka dhe që të përshtatemi”, theksoi trajneri i Interit. /i.m /abcnews.al