E mira u bë kohë që ka nisur dhe dera është e hapur “katërkanatësh”. Kristjan Asllani pritet të ketë një dhuratë të bukur për ditëlindje, në vazhdim të dhuratave të merituara që po merr tek Inter këto kohë, me mesfushorin e Kombëtares shqiptare, që pritet të jetë titullar në sfidën e Serisë A në fushën e Bologna, një provë tepër e vështirë për “Zikaltërit”.
Asllani vjen pas një serie prej tri ndeshjesh radhazi që nga minuta e parë në kampionat, gjatë të cilave ka shërbyer një asist dhe ka shënuar një rrjetë e për këtë aryse tekniku Simone Inzaghi mund të vazhdojë t’i besojë talenti “kuqezi”, edhe pse Çalhanoglu është kthyer nga dëmtimi, por ndoshta nuk ka formën më të mirë për të qenë në fushë 90 minuta.
Gjithsesi, edhe pse ka ditëlindjen, dhe pret dhurata nga shokët, Kristjani thotë se do të jetë i detyruar të bëjë ai një dhuratë. Kjo, padyshim për golin që shënoi.
“Po, duhet të bëj një dhuratë. Po flisnim me shokët para ndeshjes, me Carlos Augusto, Marko Aranutovic dhe Davide Frattesi. Ndodh si gjithmonë. Mua më gjejnë të vogël e më rrahin, prandaj do të bëj një dhuratë të bukur e do të shpenzoj ca para për ta”,- u shpreh duke qeshur, “fantazisi” i mesfushës.
Asllani ishte me të vërtetë i shkëlqyer ndaj Genoa. Ai jo vetëm që pati gol dhe 96 prekje të topit, por edhe saktësi 100 për qind me pasimet, 77 nga 77, dhe po ashtu me topat e gjatë, 5 nga 5. Një lojtar që fitoi tre të katërtat e dueleve në tokë dhe që mori një vlerësim 8.5 nga 10 e mundshme.
Ai ka bërë për vete edhe shokët e ekipit, siç e tregon festimi me anësorin francez të mbrojtjes, Benjamin Pavard, i cili së bashku me djaloshin nga Elbasani bëri shenjën e shqiponjës dhe padyshim mesfushori shqiptar shpreson që ky moment i madh të vazhdojë. /i.m /abcnews.al