Trajneri i skuadrës së Tiranës, Ardian Mema, tha pas fitores me Flamurtarin se bardheblutë ende nuk e kanë siguruar kualifikimin. Sa i përket merkatos, Mema tha se skuadra do të mbyllë shumë shpejt një marrëveshje.
Tirana fitoi pastër 2-0 ndaj Flamurtarit në ndeshjen e zhvilluar në “Selman Stërmasi” e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Ndeshja që u ndërpre të mërkurën për shkak të kushteve atmosferike rifilloi këtë të enjte ku bardheblutë fituan me rezultat dhe lojë bindëse. Aq sa edhe trajneri Ardian Mema tha pas ndeshjes se skuadra e tij duhet të fitonte me një rezultat më të thellë nëse do të shfrytëzonte më mirë rastet e krijuara para portës kundërshtare.
Avantazhi i ndeshjes së parë 2:0 i jep një siguri të madhe Tiranës për kalimin në çerekfinale të Kupës së shqipërisë, por kreu i pankinës së Tiranës tregohet i kujdesshëm pasi thotë se në futboll mund të ndodhë gjithçka dhe përmbysja është diçka e zakonshme.
Një temë e nxehtë tek Tirana është edhe merkato e ndërkohë trajneri tha se skuadra është afër zyrtarizimit me një lojtar, duke mos pranuar ta bëjë publik emrin. Tirana do ta luajë ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Kamzës ku tre pikët janë objektivi i vetëm për bardheblutë që dhanë sinjale të qarta ndaj Flamurtarit se janë rikthyer më të motivuar se kurrë./abcnews.al