Tirana rrezikon por mund Skënderbeun 3-1 në fund

schedule19:41 - 14 Shtator, 2019

schedule 19:41 - 14 Shtator, 2019

Tirana mund Skënderbeun në minutat e fundit dhe mban kreun e renditjes së Superligës. Skuadra kryeqytetase e meritoi suksesin në stadiumin “Selman Stërmasi”

E ka talentin dhe fanelën, ndërsa mbetet të tregojë vazhdimësinë.

Tirana hodhi një tjetër hap drejt konfirmimit si pretendente e fortë për titullin në Superligë, me fitoren 3-1 ndaj Skënderbeut, një sukses që ishte më i vështirë sesa e tregon rezultati.

Skuadra e trajnerit Ardian Mema e dominoi lojën në “Selman Stërmasi”, por tri pikët u siguruan vetëm në 5 minutat e fundit.

Aksionet e shumta dhe rastet ishte vështirë të ktheheshin në gol, ndërsa Skënderbeu i trajnerit Ilir Daja pati edhe fatin e keq që iu dëmtua një nga lojtarët e paktë me përvojë, kapiteni Gjergji Muzaka, që doli nga fusha që në pjesën e parë.

Tiranasit, 24 herë kampionë të Shqipërisë, e gjetën vonë avantazhin 1-0, me anë të Ngosë në sekondat e fundit të pjesës së parë, dhe po ashtu edhe suksesin final.

Korçarët, që kanë ende një lloj hijeje të rëndë nga e kaluara, barazuan papritur me anë të Pollozhanit, dhe u duk se mund ta merrnin barazimin, për të mos u shkëputur shumë nga kreu i tabelës.

Nuk ia dolën dhe kjo erdhi logjikshëm, pasi Tirana pati më shumë cilësi, po ashtu një stol me më shumë alternativa.

Goli më të rëndësishëm, atë të avantazhit 2-1, e shënoi djali i presidentit, Grent Halili, që minutat në fushë i ka për meritë të tij, dhe jo të babit.

Kaq u desh, dhe bardheblutë mbyllën gjithçka më pas, me golin e tretë të shënuar nga Hoxhallari.

Tirana ka 10 pikë pas 4 ndeshjeve, një seri rezultatesh që nuk ishte parë prej kohësh dhe tifozët mund të mendojnë seriozisht për titullin, që nuk fitohet që nga viti 2009./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!