Skuadra e Tiranës ka një ndeshje mjaft të vështirë përballë Partizanit këtë të premte në “Selman Stërmasi”. Bardheblutë e kanë jetike fitoren ndaj rivalëve të qytetit.
24 orë na ndajnë nga derbi më i rëndësishëm në Shqipëri Partizani-Tirana. Dy ekipe që kanë shkruar historinë me germa të arta në historinë e futbollit shqiptar. Në shtëpinë bardheblu nuk e njohin shijen e fitores prej 14 ndeshjesh radhazi ndaj rivalëve të qytetit. Një ecuri aq e errët sa edhe situata ku ndodhet aktualisht skuadra e Tiranës.
Ekipi më i titulluar në Shqipëri u ngjit këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar, por nuk ka shumë ndryshim nga ajo e dy viteve më parë kur siguroi rënien nga kategoria. Aktualisht Tirana e sheh veten vetëm 3 pikë nga zona e ftohtë. E për ta bërë akoma më të ftohtë situatën kanë menduar ndoshta pa qëllim tifozet bardheblu.
Tifogrupi “Tirona Fanatics” ka bojkotuar takimin ndaj Partizanit, atë takim aq shumë të deshiruar. Kjo për faktin se organizatorët e kësaj sfide do të jenë rivalët më të urryer e për rrjedhojë, Tirana luan mike në shtëpinë e saj. Kjo ka sjellë irritim të tifozëve që nuk do të mbështesin ekipin e zemrës në ndeshjen më të rëndësishme të vitit.
Përtej çdo lloj situate të krijuar nga faktorë t ndryshem, fatet e klubit i kanë në dorë lojtarët që do të zbresin në tapetin e fushës “Selman Stermasi”. Lojtarët e Tiranës kanë shansin të hapin një kapitull të ri, ta bëjnë të zezën të bardhë, të kthehen superiorë ndaj Partizanit në fushën e lojës të paktën për hir të familjes bardheblu të traditës, të historisë e në fund të tre pikëve. Si pritet të luajë Tirana në këtë takim. Në radhët e Tiranës do të mungojë sulmuesi anësor Greca për shkak të numrit të kartonëve. Pjesa tjetër e formacionit mbetet e pandryshuar.
Në portë Abibi. Në mbrojtje Doka, Atinga, Hoxhallari dhe Imami. Në mesin e fushës Karabeci, Mauexhe, Daja dhe Hasani. Ndërkohë që Sentamu pritet të vendosen në sulm bashkë me Blazhevski. Tirana kërkon të ndryshojë historinë dhe mund t’ia dalë për sa kohe loja starton me shifrat 0-0./abcnews.al