Skuadra e Tiranës do të fillojë grumbullimin për t’u përgatitur në prag të sezonit të ri. Ne kampin bardh e blu priten minimalisht edhe dy përforcime të tjera.
Skuadra e Tiranës do të fillojë grumbullimin së shpejti për t’u përgatitur për edicionin e ri që starton në fundin e muajit gusht. Drejtuesit e klubit bardh e blu konfirmuan fillimisht trajnerin Ardian Mema në krye të klubit, i cili u pasua me tre nënshkrime të rëndësishme si Batha, Kale dhe Torrasa. Trajneri i cilëson tepër të rëndësishme blerjet, pasi klubi fillimisht mori miratimin e teknikut kryeqytetas e me pas finalizuan aksionin. Tirana do të nisë fazën përgatitore, por drejtuesit do të vijojnë punën për merkaton, pasi skuadra nuk është ende e kompletuar.
Sulmuesi Ismael Dunga dhe mbrojtësit Tefik Osmani janë nën lupën e klubit më titullar në Shqipëri. Me Osmanin konkretizimi mund të arrihet më lehtë, ndërkohë që për sulmuesin afrikan çështja është disi më e kompleksuar, megjithëse palët kanë gjetur akordin prej kohësh, por problem mbetet skuadra e Luftëtarit. Në dyshim është sulmuesi Majkell nga e ardhmja e të cilit varet shumë nga afrimi ose jo i sulmuesit të gjirokastritëve. Bardheblutë kërkojnë të ndërtojnë një skuadër të madhe dhe ambicioze për sezonin e ardhshëm ku kërkohet t’i rikthehet lavdia e munguar prej vitesh me radhë. /ABC News Albania 24/7