Tirana duhet të largohet sa më parë nga zona e rrezikshme e Superligës. Trajneri Ardian Mema kërkon më shumë nga lojtarët e tij, ndërsa po mendon për të përforcuar skuadrën në janar.
Fitorja si qetësues, por nuk mjafton. Tirana ndihet më e qetë pas suksesit me Flamurtarin në “Selman Stërmasi”, veçse skuadra më e shquar e futbollit shqiptar, mbetet në zonën më të rrezikshme të mundshme në Superligë. Trajneri Ardian Mema, ndoshta njeriu më i përkushtuar që mund të kishte gjetur presidenti Refik Halili, ka bërë llogaritë, sërish nuk ndihet i kënaqur, ndërsa nxit lojtarët e tij.
Ardian Mema, trajner i Tiranës: “Ndryshon goxha klimë, por futbollistët ato cilësi fizike kanë, nuk është se ndryshohen gjërat me fjalë. Megjithatë të ketë ndryshime nga ana psikologjike kampionati po bëhet shumë i fortë, sidomos në fazën e tretë dhe të katërt. Ne duhet të kalojmë tëk zona e ftohtë, sepse nuk mund të vazhdojmë në zonë të ftohtë kur ekipi luan mirë.”
E vërteta është se Tirana luan mirë. Kryeqytetasit janë një reklamë e futbollit sulmues, diçka që thuajse i mungon kampionatit, dhe vetëm Teuta e Skënderbeu kanë shënuar më shumë gola sesa ata. Gjithsesi, pasiguria mbetet e madhe dhe vetëm Kastrioti ka pësuar më shumë gola sesa bardheblutë. Përse kështu? Besohet për shkak të mungesës së përvojës së lojtarëve, por edhe të pozicionit të vështirë në renditje, pasi kur luan me frikë goditesh më lehtë. Mema beson se Tirana ka nevojë për përforcime.
“Nuk mund të thërras dot lojtarë të të njëtit nivel tek Tirana. Kam parë disa lojtarë këtë periudhë rreth 10-15 lojtarë do të ndrhyet se s’bën, të paktën në 1 ose 2 pozicione.”
Trajneri nuk e thotë, por burime në klub pohojnë për ABC News-in se objektiv urgjent është një qendërmbrojtës. Po ashtu, mund të kërkohen lojtarë me përvojë dhe karakter në mesfushë, si dhe një sulmues goli. Gjithsesi, me financat e sotme, Tirana do ta ketë të vështirë, ndaj edhe tifozët shpresojnë që të bëhet realitet premtimi i presidentit Halili, për afrim të aksionerëve. Lajmet janë për investim masiv në stadiumin “Selman Stërmasi”, dhe për modernizim të kompleksit “Skënder Halili”, dhe me afrimin e aksionerëve të tjerë, Mema mund të ketë financa për të përmirësuar ekipin. Gjithsesi, trajneri ka vënë re, që tani, një ndryshim pozitiv.
“Në pjesën e parë ne thjesht kemi pasur raste, por nuk kemi qenë se kemi luajtur neve, gjithmonë ka luajtur lojtari më mirë se ne. Në pjesën e dytë, në momentin që hyn lojtari në fushë, pashë një karakter sportiv që i ka munguar Tiranë sprej vitesh.”
Tirana ndodhet në vendin e katërt nga fundi në Superligë, me 17 pikë në 18 ndeshje, pranë zonës që të zbret në Kategorinë e Parë./abcnews.al

