Tirana pritet të shkojë me mungesa në ndeshjen vendimtare të Superligës në Laç. Skuadra kryeqytetase ka mungesa të sigurta si dhe lojtarë në dyshim, ndërsa rrezikon rënien nga kategoria.
Nuk mjafton kriza e lojës dhe e rezultateve. Tirana me shumë gjasa do të luajë në Laç me disa mungesa të rëndësishme, që do t’ua bëjnë edhe më të vështirë marrjen e pikëve.
Lojtari i krahut, Asion Daja, i lënduar seriozisht në ndeshjen e kaluar të Superligës ndaj Kastriotit, do t’i shtohet kapitenit Erando Karabeci, si futbollistë që e kanë të pamundur të grumbullohen këtë herë.
Përveç tyre, trajneri Ardian Mema duhet të punojë gjatë javës me lojtarë të tjerë që mund të mos kalojnë problemet fizike. Me probleme janë mbrojtësi i krahut, Albi Doka, mbrojtësi i qendrës Eni Imami, lojtari i krahut Dorian Kërçiku, si dhe sulmuesi Grent Halili.
Telashet, pra, duken të mëdha për një sfidë në Kurbin që pritet të jetë vendimtare. Tirana është në një duel të ashpër për mbijetesë me Kastriotin, dhe mund të mendohet që krutanët do ta fitojnë ndeshjen e radhës në Fushë Krujë ndaj Teutës, edhe pse durrsakët kanë synime për Europën.
Kjo do të thotë që kryeqytetasit të paktën nuk duhet të dalin të humbur nga Laçi, diçka shumë e vështirë për disa arsye. Sportivisht, sepse tiranasit janë mundur kohët e fundit në atë fushë, por ndikojnë edhe faktorët jashtë futbollit.
Janë ende të freskëta ngjarjet e sherrit në “Selman Stërmasi”, pas ndeshjes së kaluar në Superligë, dhe po ashtu bëri bujë konflikti fizik mes dy presidentëve pas ndeshjes së Kupës. Tirana është në vendin e tretë nga fundi në renditje me 41 pikë, ndaj 39 të Kastriotit, ndërsa mbeten edhe dy javë për t’u luajtur./ABC News Albania 24/7