Tirana e bindur se do fitojë Luftëtarin/ Trajneri Ze Maria premton

schedule18:36 - 15 Shtator, 2018

schedule 18:36 - 15 Shtator, 2018

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, premton fitore në Superligë ndaj Luftëtarit, por pozitat e tij janë të lëkundura. Trajneri rrezikon shkarkimin, ndonëse e mbron kontrata tepër e lartë që ka me klubin.

Rikthimi në Superligë ishte një arritje, por kaq nuk mjafton.

Tirana nuk është nga ato skuadra që mund të kënaqet me pak, dhe trajneri Ze Maria po e kupton mirë këtë sezon.

Braziliani po kalon momentet më të vështira në stolin bardheblu, ndërsa ekipi I tij ka marrë vetëm 1 pikë në tri ndeshje të Superligës, pra suksesi ndaj Luftëtarit është detyrim.

Në konferencën për shtyp, ai doli si gjithnjë i qetë në dukje, edhe pse lajmet nga skuadra flasin se nuk I ka shumë mirë punët me disa nga lojtarët, të pakënaqur siç thuhet nga ndryshimet e shumta, apo sjellja e ashpër e trajnerit.

“Unë duhet të mendoj pozitivisht. Më kuptoni? Nuk mund të mendoj ndryshe, pasi e tillë është puna ime. Ju gazetarët keni punën tuaj, mund të mendoni ndryshe, por unë nuk mendoj kurrë për gjërat e këqija”.

Çfarë mund të thotë ai për ndeshjen e kësaj të diele ndaj Luftëtarit në “Selman Stërmasi”?

“Unë mund t’iu jap formacionin e ndeshjes, pa asnjë problem, sepse nuk kemi mungesa. Do të japim 100 për qind dhe u premtoj tifozëve, ju premtoj juve, se jam i sigurt se do ta fitojmë ndeshjen”.

Trajneri shpreson që gjërat të ndryshojnë, por gjithsesi, e di se ekziston rreziku për t’u shkarkuar.

Ai është i qetë, në një anë, sepse kontrata e tij është tepër e lartë, besohet se arrin në 70 000 euro në sezon, dhe Tirana do ta ketë tepër të vështirë ta përballojë largimin.

Në vetë, presidenti Halili ishte në dilemë, por në fund vendosi të rinovonte, diçka që tani mund të kthehet në bumerang.

A ka probleme të tjera tek Tirana, që mund ta përkeqësojnë situatën.

Dy javë më parë, para ndeshjes me Teutën, Ze Maria foli kështu.

“Kam punuar në Kenia, dhe e di se atje klubet i vonojnë rrogat vetëm 1 javë në 2 vjet. Kur vonesa zgjatet, lojtarët shqetësohen shumë. Këtu në Shqipëri është ndryshe, pasi duhet të presim më gjatë për ta marrë rrogën. Kjo është përvoja ime, dhe në Afrikë kur rroga vonohej 1 javë, lojtarët nuk dilnin në stërvitje”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!