Tirana barazoi pa gola në transfertën e Shenkollit, sfidë e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në datën 2 Tetor.
Skuadra e Tiranës ka zhgënjyer në takimin e parë ndaj Shënkollit në sfidën e vlefshme për kupën e Shqipërisë. Bardheblutë luajtën në transferte dhe treguan një paraqitje krejtësisht ndryshe si në kategorinë Superiore.
Trajneri Mema inkuadroi nga minuta e parë disa prej futbollistëve titullarë. Bakaj, Kerçiku, Muça, Imami, Vangjeli, Karabeci, Çelhaka, Doka, Torasa, Muçi dhe Dunga startuan tek bardheblutë.
Tirana ishte dominuese, por në kampin kryeqytetas janë të përqendruar më tepër në kampionat ku bardheblutë po konfirmohen nga ndeshja në ndeshje si skuadra për t’u mundur.
Tirana ishte dominuese në pjesën më të madhe të lojës, por lojtarët e Shënkollit u vendosën në mbrojtje duke mbyllur hapësirat. Për Tiranën u bë tepër e vështirë të depërtonte në zonën kundërshtare dhe sfida përfundoi me rrjeta të paprekura.
Futbollistët miq nuk harxhuan më tepër energji pasi në fundjavë kanë një tjetër transfertë, por kësaj radhe ndaj Kukësit për kampionat. Një ndeshje që peshon shumë për 24 herë kampionët e Shqipërisë.
Transferta e Shënkollit për kupën e Shqipërisë është ndalesa e parë për këtë edicion tek skuadra e Tiranës. Takimet e kthimit në ndeshjet e kupës do të zhvillohen në datën 2 Tetor./ABC News Albania 24/7