Rruga e Odisesë drejt Itakës shoqërohet nga iso polifonia shqiptare. Kompozitori I shquar Ludëig Göransson ka përzgjedhur pasurinë tonë kulturore për kolonën zanore të filmit “The Odyssey” me regji të Christopher Nolan.
Regjistrimet janë realizuar në Vlorë nga mjeshtri i fyellit dhe culës dyjare, Vendim Kapaj, Për rreth pesë orë, regjistrimet në Teqenë e Kuzum Babait në Vlorë, u kryen në praninë edhe të kompozitorit Göransson.
Mjeshtri Vendim Kapaj tregon se si u kontaktua nga ekipi realizues dhe kujton momentet e veçanta të regjistrimeve.
Kapaj shprehet se ekipi realizues ishte i mahnitur nga kjo muzikë e veçantë shqiptare. Sipas tij, ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme të punonte me një ekip të një produksioni hollivudian që vlerësonte kaq shumë pasurinë kulturore shqiptare.
Kolona zanore që ndërthur tingujt e iso-polifonisë shqiptare do të mbetet një dëshmi e rëndësishme e prezantimit të kësaj pasurie kulturore në kinemanë botërore. Vetë Kapaj shprehet i lumtur që u bë pjesë e projektit më të madh hollivudian të 2026.
Odisea e Christopher Nolan tashmë është në kinematë e të gjithë botës. Poema epike e Homerit e përshtatur për ekranin e madh me performancat e aktorëve më në zë të Hollywood është një nga produksionet më të shumëpritura të vitit dhe ka marrë vlerësimet maksimale nga kritikët ndërkombëtar të filmit edhe para publikimi të tij.



