Tifozët serbë na djegin flamurin/ Ngjarja në ndeshjen ndaj Zvicrës në Ligën e Kombeve, mediat në Beograd: UEFA nuk do të ketë mëshirë

schedule16:16 - 16 Nëntor, 2024

schedule 16:16 - 16 Nëntor, 2024

Nuk mjaftoi që ndeshja nuk ishte ajo e duhura.

Në stadiumin e Zyrihut, kombëtarja e Zvicrës u ndal në barazim 1-1 nga Serbia, dhe përtej dëshpërimit sportiv, pati edhe shqetësim nga huliganizmi.

Disa tifozë serbë kanë djegur në tribunë flamurin shqiptar, një ngjarje që ndodh herë pas here, nga të dyja kampet.

Jo vetëm kaq, por pati edhe përplasje të tifozëve.

Mediat në Beograd njoftojnë se dhjetëra shqiptarë dhe serbë u përleshën, pasi më parë pati konflikt verbal.

Për fat, sipas të përditshmes “Danas”, nuk pati të plagosur.

Ndërsa gazeta tjetër beogradase, tabloidja “Kurir” shqetësohet shumë për sjelljen e tifozëve serbë.

E përditshmja bulevardeske informon se ultrasit lëshuan objekte në terren, pati shpërthime kapsollash dhe flakadanë, dëme në stadium dhe bllokim të hyrje-daljeve.

Federata Serbe e Futbollit është e dënuar me kusht pas ngjarjeve që ndodhën në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës në Leskovac, ndërsa parashikimi është që sfida e së hënës kundër Danimarkës të jetë pa tifozë.

Ndërkaq, rezultatet e “helvetëve” nuk i kanë pëlqyer aspak kapitenit Granit Xhaka, që në përfundim të ndeshjes e hoqi shiritin nga krahu, ndonëse nuk e bëri dramë në deklaratat e tij.

“Me gjithë respektin, por po flasim vetëm për Ligën e Kombëve, diçka që është organizuar në vend të miqësoreve. Gjithsesi, për momentin është kështu, ky është fakt. E dimë se duhet të bëjmë më shumë dhe se rezultatet nuk kanë qenë ata që duhen. Mund të them se nuk kemi luajtur keq. Ndaj Serbisë ishim ekipi më I mirë në fushë dhe patëm 6 raste, e duhej të kishim shënuar të paktën 3 gola”.

Serbia ndodhet në vendin e tretë në grup me 5 pikë, dy më pak sesa danezët, ndërsa Zvicra është e fundit me vetëm dy pikë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!