Duhet të ishte një ndeshje përgatitore, por edhe një festë për Juventus, që në stadiumin e tij zbriti në fushë për sfidën brenda shtëpisë mes skuadrës së parë dhe asaj të të rinjve.
Por kjo miqësore u mbyll përpara kohe, pasi tifozët vendosën të lenë tribunat dhe të pushtojnë fushën, duke detyruar drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” të ndërpresin ndeshjen përpara kohe.
Për t’u kuptuyar mbetet nëse ky pushtim i fushës ishte një shenjë entuziazmi i tifozëve bardhezi, apo një shenjë proteste për shkak të problemeve, sidomos me merkaton që shoqërojnë klubin në vigjilje të sezonit të ri.
Varianti i dytë është më i besueshëm. Kjo edhe për vërshëllimat që shoqëruan Dushan Vllahoviç gjatë gjithë ndeshjes për aq sa zgjati.
Sulmuesi serb fajësohet si njeriu që ka bllokuar merkaton e verës, ndërsa edhe goli I shënuar prej tij nuk qetësoi tribunat.
Aq më tepër, që futbollisti as që denjoi të festojë realizimin e tij.
Rrugën e rrjetës gjeti edhe një tjetër i padëshiruar si Douglas Luiz.
Edhe mesfushori brazilian ka gati valixhet në pritje për të mësuar destinacionin e ardhshëm.
Përpara nisjes së sezonit të ri në Serie A, Juventus ka në program edhe një miqësore të fundit, atë të së shtunës kundër Atalantës, që vlen si një test i vërtetë për “Zonjën e Vjetër”./abcnews.al

