Një pankartë ku shkruhej “Kosova është Shqipëri”, e shfaqur nga tifozët e AEK-ut të Athinës në ndeshjen ndaj Ajaxit të Amsterdamit, ishte ajo që tërhoqi më së shumti vëmendjen dhe bëri shpejt xhiron e botës.
Natyrisht gjesti u mirëprit nga shqiptarët, për më tepër që erdhi nga një klub historik grek, me helenët që bëjnë pjesë në listën e vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën, por shkaktoi zemërim te serbët.
Për banderolën ka reaguar zyrtarisht edhe klubi i AEK-ut, që ka dënuar shfaqjen e saj qoftë edhe për disa sekonda dhe ka premtuar se do ët hetojë për të gjetur tifozët që shpalosën atë dhe për t’i lënë ata jashtë stadiumit përgjithmonë.
Komunikata e AEK:
“AEK shpreh neverinë e tij dhe dënon pa mëdyshje daljen, qoftë edhe për pak sekonda, të një pankarte me përmbajtje ekstreme nacionaliste në stadiumin tonë. Një pankartë e cila nuk ka të bëjë absolutisht me origjinën historike të klubit tonë, as sigurisht me atë që ai përfaqëson që nga themelimi i tij.
AEK-u nuk ka nevojë të provojë asgjë me fjalë, pasi e ka bërë me vepra në mënyra të padiskutueshme dhe me nisma që asnjë grup tjetër nuk ka ndërmarrë, kundër luftës.
Për ngjarjen konkrete trishtuese dhe indinjuese, AEK deklaron se nuk do të qëndrojë duarkryq. Tashmë po nisim aksionet për gjetjen e përgjegjësive për shfaqjen e banderolës, që me të drejtë trazoi masën e madhe të botës sonë sportdashëse, e cila gjithashtu e ka kundërshtuar ashpër.
Do t’i gjejmë patjetër përgjegjësit dhe do t’u ndalohet përgjithmonë hyrja në stadiumin tonë”, thuhet në komunikatën e klubit grek./ h.ll/abcnews.al