Tifozët “çmenden” pas Inter-Juventus, “derbi i Italisë” vendos rekord në gjysmë-finalen e Kupës

schedule18:57 - 26 Prill, 2023

schedule 18:57 - 26 Prill, 2023

Pas derbit të Milanos, padyshim ndeshja më e madhe në Itali është e ashtuquajtura, “Derby d’Italia”, një përplasje kjo mes “zikaltërve” të Inter dhe “bardhezinjve” të Juventus dhe mbrëmjen e sotme kjo përballje në “Giuseppe Meazza” do të përcaktojë dhe finalistin e parë të Kupës së Italisë.

Mirëpo, nëse në fushën e blertë priten 90 minuta të zjarrta dhe plot emocion, po ashtu dhe tifozët kanë siguruar të dhurojnë diçka të tillë për skuadrat e tyre, ku në bazë të raportimeve të fundit të mediave italiane, “zikaltërit” do ta presin “zonjën e vjetër” me një atmosferë elektrizuese mbrëmjen e sotme, ku deri më tani janë shitur plot 75 mijë bileta, nga 75,817 të tilla.

Kjo shifër regjistron si rekord të ardhurash për klubin nga aspekti ekonomik, por gjithashtu vendos edhe një rekord si sfida më e shikuar për “zikaltërit” duke kaluar derbin e sezonit të shkuar ndaj Milan, ndeshje gjithashtu e vlefshme për gjysmë-finalen e Kupës së Italisë.

Ndërkaq, duhet shtuar gjithashtu se nga kjo prezencë e madhe e tifozëve, Inter ka arkëtuar plot 5 milionë euro të ardhura nga shitja e biletave, shifër kjo rekord për një ndeshje të Kupës së Italisë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!