“T’i tërhiqet vëmendja Vaçe Zelës” pse e zemëroi artistja Sigurimin gjatë turneut në Greqi

schedule20:44 - 1 Qershor, 2021

schedule 20:44 - 1 Qershor, 2021

Nga Emisioni “Vetting”

“Pallati i madh i Kulturës”, mban titullin dosja e Sigurimit të shtetit për artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit. Dosja mban numrin 126 dhe aty renditen informacione për bashkëpuntorët brenda këtij pallati. Si e survejuan ata Vaçe Zelën, Çesk Zadenë, Krajkën e Gurakuqin. Si u hap Dosja 2b për “babain” e muzikës shqiptare dhe ku fshihej zyra prej nga survejohej e dëmtohej Krajka. Përballja e çiftit Krajka në Presidencë me Fadil Paçramin, çfarë do t’u thoshte ai artistëve. “Vetting” zbulon përplasjet e Vaçe Zelës me operativët e Sigurimit në udhëtimet e Ansamblit Kombëtar jashtë Shqipërisë si dhe presioni që u bëhej nga agjentët e Sigurimit të Shtetit artistëve të mëdhenj.

——————

Shqiptarët në Greqi, ose emigrantët ekonomikë siç quhen në dosjen e ish-Sigurmit të Shtetit “Pallati i Madh i Kulturës”, shfaqen të përmalluar për vendin, gjuhën dhe patriotët e tyre. Në takimet me artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, gjatë viteve ’70, disa të arratisur kërkojnë gjatë këtyre turneve të dinë për familjarët e tyre duke theksuar vazhdimisht se “s’kanë asnjë qëllim të keq, veç të marrin ndonjë haber për ta”, por operativët ishin gjithmonë aty për t’i larguar. Në raportim përmendet emigranti DH.T nga Labova e Gjirokastrës, i cili jo vetëm që i shoqëron artistët tanë në shfaqje, por,  u blen edhe bileta shqiptarëve e grekëve që t’u tregojë një copëz Shqipërie në skenë. Në fund të takimit, ai i rrëfen grupit shqiptar të artistëve, dëshirën e tij të madhe për t’u kthyer qoftë dhe njëherë në vend të tij, e të mos ndahet nga kjo jetë pa e shkelë tokën amë.

Kritikat që shoqëronin artistët gjatë këtyre udhëtimeve ishin nga më absurdet. Dëshira për të rrëmbyer një gotë uzo, për të porositur në hotel një shampo, apo për të bërë një shëtitje në orët e vona konsideroheshin deri edhe si akte fashiste. Nga më rebelët e grupit, që nuk u falnin lehtësisht operativëve të sigurimit grimat e pakta të  lirisë, ishin Vaçe Zela dhe Besim Zekthi. Por agjentura ua kthen “haraçin”, duke i kritikuar në raportet e tyre për udhëtimin në Greqi të dhjetorit të të 77-ës e qëndrimin e zgjatur me përkthyesin K.G. Ky i fundit siç ata theksojnë në dosje do të mundohej t’u merte informacione në tym dhe ndonëse kishte tentuar t’i ofronte këngëtares një dhuratë ajo nuk kishte pranuar.

Me kundërshtinë e saj, Vaçja  u  ishte bërë pengesë edhe në përpjekjet për të frenuar artistët në gostitë që shtoheshin për nder të tyre, për të porositur qoftë edhe një filxhan kafe . Sigurisht që shqetësimi i operativëve ishte të mos pasqyrohej varfëria e mjerimi i vendit, pasi një nga detyrat e Partisë ishte që artistët  të tregonin jashtë vendit për arritjet e mëdha të politikës komuniste shqiptare.  Për të gjitha këto sjellje të Vaçes sipas informacioneve të dosjes do të rekomandoheshin të merreshin masa.

Survejimi i operativëve të dosjes nr.126 ishte i tillë, një çark ku zihen ngushtë të drejtat minimale të artistëve. Një sistem ndjekje ku deri në vitin 1991 tërhiqej zvarrë edhe liria e ikonave të skenës si Vaçe Zela, deri në thyerje të intimitetit. Ajo i sfidoi kufijtë, duke ngritur në këmbë edhe publikun e huaj, madje pa e ditur ata se nga vinte e në ç’gjuhë këndonte. Por, pavarësisht madhështisë në skenë e atyre grimcave rebelimi, nuk mund t’i shpëtonte syve që e ndiqnin në çdo hap, raportimeve, terrorit të kufizimeve diktatoriale, ku edhe artisti më i madh trajtohej si një mjet, për të përçuar një sukses imagjinar të paskuintave komuniste. Dëshirat  e tyre nuk patën asnjë rëndësi për sistemin e aq më pak kontributi.

Vaçja nuk mund të priste komplimentat nga një spiker grek dhe bashkëshortja e tij, pasi kush e di se ç’sekret mund të mësonin ata për Shqipërinë komuniste. Të shëtiste “natën vonë”, as që duhej shkuar nëpër mend. Apo ,të shijonte kënaqësinë e dritës së një ambazhuri a një dhurate, kjo ndjesi e imët kënaqësie, mund të ishte ç’thurje e pamendtë e kësaj artisteje. Zemërimi i operativëve ndaj Vaçes ishte i madh, edhe rebeles i duhej dhënë një mësim, pse jo ti ndalohej të këndojë jashtë, t’i ndalohet skena. Por jo! E pamundur të ndalosh dashurinë e publikut për zërin e Vaçes, kënga e saj s’mund të pushojë… botës i duhej rrëfyer se ç’artistë të mëdhenj rriti Shqipëria komuniste. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!