“Ti nuk je as për kapter”, kujtimet tronditëse: Si më morën natën në shtëpi me “Gaz”-in e Degës

schedule08:21 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 08:21 - 6 Dhjetor, 2021

Nga Bashkim Trenova

Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al

ME “HERONJTË E POPULLIT”

BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA

Përpos anëtarëve të Byrosë Politike për të cilët fola më sipër, do të doja të them disa fjalë edhe për kandidatin e Byrosë Politike, ‘Heroin e Popullit’, Petrit Dumen. Në të vërtetë me të nuk më lidhte asgjë, përjashto faktit se ai ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, ndërsa unë isha oficer rezervist, si mijëra të tjerë, që u bëmë të tillë automatikisht pasi kryem studimet e larta. Petrit Dumen, përpos si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, e  njihja edhe nga Glinka apo Gramoz Mborja, shoku im i mirë, që u dënua me disa vite burg vetëm e vetëm sepse ishte nipi i tij.

Takimi im i parë me Petrit Dumen, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë!

“Takimi” i parë me Petrit Dumen ka ndodhur në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Oficerëve, njëlloj klubi i oficerëve shqiptarë. Unë, Glinka dhe disa shokë e kolegë të tjerë të Radio Tiranës, një mbrëmje pas punës, shkuam atje për të pirë një gotë. Në një moment, duke hedhur shikimin nga tarraca anësore e Klubit, shoh aty të ulur në një karrige, të vetmuar, Petrit Dumen. Ai i kishte kthyer shpinën sallës dhe dukej sikur meditonte. Mua mu duk disi e çuditshme, që dikush të vinte në një klub dhe të vetë izolohej nga të tjerët në një hapësirë të veçantë. Me këtë mendim në kokë u tregova i gatshëm përpara shokëve dhe kolegëve të mi që të shkoja pranë tij, për t’i propozuar që të ulej në një tavolinë me ne. Në kohën që po ngrihesha për t’i bërë ftesën Petrit Dumes, Glinka, i alarmuar më kap për krahësh dhe më ul në karrigen time. Iu binda atij duke menduar se ai e njihte mirë dajën. Ndoshta Glinka kërkoi të shmangte ndonjë reagim të mundshëm të pakëndshëm të dajës së tij ndaj nesh. Sidoqoftë, më bënë përshtypje si alarmimi i Glinkës, ashtu edhe vetmia e demonstruar e gjeneral-leitnant, Petrit Dumes! I ulur në karrigen e tij me këmbë të shtrira paksa përpara, ai se si më kujtonte një pikturë të Ali Pashë Tepelenës, hijerëndë duke thithur nargjilenë e tij. Disa herë gjatë viteve, kur ka rënë rasti të dëgjoj apo të lexoj diçka për Petrit Dumen, e kam menduar atë ashtu të vetmuar në tarracën e Shtëpisë Qendrore të Oficerëve.

Asnjëherë nuk e kam kuptuar përse duhej të vinte aty për t’i kthyer kurrizin sallës dhe njerëzve. Nëse nuk kishte nevojë për ta, për një tavolinë klubi, për një gotë përpara tij, apo për shërbimin e një kamerieri, përse nuk qëndronte në shtëpi ose në zyrën e tij në Ministrinë e Mbrojtjes? Ndoshta si të gjithë përfaqësuesit e piramidës së pushtetit, edhe ai kërkonte të shihej nga ata që urdhëroheshin e komandoheshin prej tij, të ishte i pranishëm në mendimin e të tjerëve, në diskutimet e tyre, pse jo edhe të adhurohej në distancë prej tyre. Kjo gjë mundet që i jepte kënaqësinë, që nuk i’a siguronte dot as shtëpia dhe as zyra e tij në Ministrinë e Mbrojtjes! Për herë të parë jam ndodhur përballë Petrit Dumes në shtatorin e vitit 1968. Në ditët e para të shtatorit të këtij viti, u mbajt Plenumi i V-të i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, si edhe u thërrit në një seancë të jashtëzakonshme Kuvendi Popullor. Partia dhe Këshilli i Ministrave i propozuan Kuvendit Popullor që të denonconte organizatën ushtarake të ‘Traktatin e Varshavës’. Ky Traktat dominohej nga Bashkimi Sovjetik dhe në të bënin pjesë të gjithë vendet satelite komuniste të Evropës Lindore. Deri në këtë kohë edhe Shqipëria ishte formalisht anëtare e tij. Praktikisht, me prishjen e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare në vitin 1961, Shqipëria kishte pushuar së qeni anëtare e këtij blloku ushtarak. Tani ajo edhe zyrtarisht deklaronte se largohej nga ‘Traktati i Varshavës’. Deputetët shqiptarë, sipas ritualit të zakonshëm, miratuan me ovacione propozimin e Partisë dhe të Këshillit të Ministrave.

Si arsye për këtë hap shërbeu agresioni që ndërmori ‘Traktati i Varshavës’, nën dominimin sovjetik, ndaj një anëtari të tij, Çekosllovakisë. Udhëheqja shqiptare e dënoi këtë agresion duke e cilësuar atë si social imperialist. Ajo edhe u tremb se mos sovjetikët ndërhynin me tanket e tyre në Shqipëri, ashtu sikurse bënë në Çekosllovaki. Një ndërhyrje e ‘Traktatit të Varshavës’ në Shqipëri, ishte e mundshme përderisa ajo ende ishte anëtare e këtij Traktati. Duke e denoncuar atë dhe duke dalë prej tij, udhëheqja komuniste shqiptare, llogariti të evitojë përsëritjen e Çekosllovakisë në Shqipëri. Kryesorja ishte që të shmangte largimin e saj nga pushteti. Kështu ndodhi në Çekosllovaki pasi ajo u pushtua nga tanket sovjetike. Drejtuesit e Partisë Komuniste të këtij vendi, u zëvendësuan me njerëz besnikë të Kremlinit.

Pas daljes së Shqipërisë nga ‘Traktati i Varshavës’ e gjithë propaganda e Partisë nisi një fushatë intensive duke trumbetuar qëndresën heroike të popullit shqiptar në shekuj. Në të gjitha institucionet dhe në çdo skaj të Shqipërisë u morën masa dhe u dhanë orientime për të jetuar, menduar dhe vepruar si në rrethim, si në një situatë lufte. Mua dhe kolegët e mi të Radio Televizionit Shqiptar, na thirrën të paraqiteshim në repartin ushtarak ku bënim zborrin, siç quhej stërvitja ushtarake prej 20-25 ditësh në vit, që bënin të gjithë shqiptarët në kohën e diktaturës. U deklarua në fakt një mobilizim i përgjithshëm, që zyrtarisht kishte për detyrë t’i bënte ballë një agresioni të pritshëm të Traktatit të Varshavës, të mbronte Atdheun nga social imperializmi sovjetik.

Unë nuk iu përgjigja kësaj thirrjeje. Veprova kështu, jo sepse e kisha kuptuar kotësinë e gjithë këtij spektakli grotesk me nota atdhetare e komike. Nga Drejtoria e Radio Tiranës mua, si edhe kolegëve të mi, na u tha të vazhdonim normalisht punën sepse edhe në kohë lufte, propaganda do të vazhdojë. Nga ana e saj i ishte paraqitur Komitetit Qendror të Partisë edhe një listë emërore e punonjësve të Radio Televizionit, që nuk do të paraqiteshin në repartet përkatëse ushtarake. Në rast të kundërt, do të rrezikoheshin emisionet radio-televizive. Siç do të kuptoj më vonë,  mua ndoshta nuk më kishin përfshirë në të. Mundet edhe të isha përfshirë, por lista, ndoshta, nuk është miratuar e plotë në Komitetin Qendror të Partisë. Mendoj kështu sepse pata disa andralla.

Si më morën natën në shtëpi me “Gaz”-in e Degës Ushtarake dhe më vunë në arrest!

Një mbrëmje pas mesnate, pasi kishte marrë fund mobilizimi i përgjithshëm dhe njerëzit ishin kthyer në jetën e tyre normale, në shtëpinë time trokitën disa ushtarë. Ata më thanë se kanë urdhër që të shkoj me ta në Degën Ushtarake të kryeqytetit, si të thuash në “ministrinë” e Mbrojtjes së qytetit të Tiranës. Pa u zgjatur më tej ata më thanë të hipja në “Gaz”, njëlloj automjeti ushtarak, me të cilin ata kishin ardhur tek unë. Veprova ashtu sikurse më urdhëroi trupa e ushtarëve dhe pas disa minutash u gjenda në sallën kryesore të kësaj qendre ushtarake ku ishin grumbulluar 200 apo 300 vetë. Më bëri përshtypje se ne nuk lejoheshim të dilnim jashtë në oborr. Dera e sallës ku gjendeshim ruhej nga ushtarë të armatosur dhe me bajonetë në gjendje luftimi. Në një farë mënyre ne ishim në gjendje arresti. Siç do të mësonim më pas, kjo masë përligjej me mos paraqitjen tonë ndaj thirrjes që na ishte bërë kur Atdheu ndodhej në rrezik!

Dukej sikur ne të gjithëve, pra rreth 200 apo 300 vetëve, na priste Gjyqi Ushtarak. Po të zhvillohej, ky do të ishte ndoshta Gjyqi më i madh Ushtarak në histori. Në të vërtetë disa lëvizje edhe u bënë në këtë drejtim. Në orët e para të mëngjesit, i’a behën në zyrat e Degës Ushtarake disa njerëz me uniformë, që filluan të na marrin në pyetje të gjithëve njërin pas tjetrit. Ne duhet të shpjegonim përse nuk i ishim përgjigjur thirrjes ushtarake që na ishte bërë pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës. Pasi kishim dhënë shpjegimin përpara disa ushtarakëve në një zyrë, ne duhet të kalonim në një zyrë tjetër fqinjë e t’i përgjigjeshim të njëjtave pyetje një grupi tjetër ushtarakësh. Atëherë nuk i kam dhënë rëndësi të gjithë këtij inskenimi, që e shihja madje me një lloj humori. Sigurisht nga ana tjetër, inskenuesit,  prokurorët ushtarakë, ishin seriozë. Pyetjet bëheshin prej tyre krejt formalisht. Ata as i dëgjonin madje përgjigjet tona. Vendimi, siç duket, ishte marrë. Ne duhet të kalonim në Gjykatën Ushtarake, ku do të na komunikohej dënimi i “merituar”.   Një shokut tim, Albert Shalës, prokurori i kishte thënë hapur: “Po nuk të futa ty në burg, do të jetë Petrit Dume që do të më fusë mua aty në vendin tënd”.

Pas disa orësh, pasi mbaruan pyetje-përgjigjet, ne na rreshtuan të gjithëve si në ushtri. Në Degën Ushtarake arriti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-leitnant Petrit Dume. Ai filloi të pyesë disa nga të rreshtuarit ashtu sikurse kishin bërë para tij edhe prokurorët ushtarakë. Më kujtohet kur ndaloi para një të riu me trup të rregullt, i vendosur diku më pak se një metër larg nga unë. Më vonë mësova se ai ishte pedagog fizkulture dhe se ishte me origjinë nga Dibra, ashtu si babai im. Petrit Dume kaloi para meje, më hodhi një vështrim bosh, vazhdoi më tej dhe qëndroi para tij. “Po ti’, i tha gjenerali pedagogut të fizkulturës, ‘përse nuk u paraqite në repartin tënd ushtarak”?! Përgjigja e tij ishte e thjeshtë, njerëzore, por shokuese për gjeneralin. “Unë atë mbrëmje u martova, shoku gjeneral”, tha pedagogu i fizkulturës, që nuk ia mësova dot emrin. Duke parë reagimin e idhët të gjeneralit, ai shtoi: “Nuk mund t’i braktisja 100 vetët që i kisha ftuar në dasmën time”! Gjeneral Petriti, që nuk e priste një përgjigje të tillë të sinqertë, deri në naivitet, u tërbua. Atij më duket se i mbahej paksa goja. Kështu, me inat e me fjalë të përgjysmuara, Petrit Dume ju drejtua atij: “Si thua ti, ne t’i themi armikut prit të mbaroj dasmën unë pastaj na sulmo? Të gjithë, tha ai, do të kaloni në Gjykatën Ushtarake”! Të them të drejtën nuk u besoja fjalëve të tij edhe pse, duke njohur logjikën ushtarake, nuk kisha asnjë arsye për të mos u besuar.

Dy javë në zborin ushtarak në Vaqarr, me instrumentistin e orkestrës së Radio-Tiranës!

Pas këtyre fjalëve, Petrit Dume u largua. Ne na dërguan nëpër repartet ushtarake përkatëse. Mua më dërguan në Vaqar, një fshat në afërsi të Tiranës. Aty, së bashku me rreth 50 apo 70 të tjerë, qëndrova nja dy javë. Nga Radio Televizioni isha vetëm unë dhe Pirro Xhahini, që punonte si violonçelist në Orkestrën Simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar. Fillimisht, pasi veshëm uniformën ushtarake, na urdhëruan të sajonim vetë “banesën” tonë duke prerë degë drurësh për “muret” dhe “çatinë” e saj dhe degë shkurresh për “shtratin” e shtrirë për tokë. Na ndanë nga dy vetë për “banesë”. Mua më caktuan të banoj me Piro Xhahinin, që ishte jo vetëm një instrumentalist i talentuar, por edhe një djalë i mrekullueshëm, bujar, pa fjalë shumë dhe me mendim të hapur, direkt. Ato ditë të vështira në Vaqar më bënë ta njoh më mirë atë, që mua, si edhe kolegëve të mi, nga larg më ishte dukur si tip i veçantë, si tepër i mbyllur e i tërhequr. Renée Anderson, mikja e Partisë që punonte për përgatitjen e emisionit të frëngjishtes, kur e shihte në hollet e Radios në kohën e pushimit të instrumentistëve të Orkestrës së saj Sinfonike, duke qeshur e krahasonte atë me një aktor amerikan. Renée e thoshte edhe emrin e tij, por mua nuk më kujtohet, meqë në atë kohë ne edhe nuk i njihnin aktorët amerikanë. Filmat amerikanë e përgjithësisht filmat perëndimorë, njëlloj si edhe filmat sovjetikë e ato të bllokut sovjetik, nuk shfaqeshin në atë kohë në Shqipëri për arsye ideo-politike.

Si u përhap lajmi në të gjithë Tiranën, se ne do të na vrisnin në Vaqar!

Gjatë dy javëve që qëndruam në Vaqar, bëmë gjithçka si në stërvitjet e zakonshme ushtarake gjatë vitit, pra asgjë të jashtëzakonshme, asgjë që të dëshmonte për një përgatitje të veçantë në prag të një agresioni të pritshëm. Komanda e repartit ushtarak përfitoi nga rasti për të na vënë të përgatisnim beton dhe të shtronim me të disa depo ushtarake. Në kohën e lirë, organizonim edhe ndonjë ndeshje futbolli. Ndërkohë, nuk e di se qysh dhe nga kush, ishte përhapur lajmi se neve që ishim mbledhur në Vaqar do të na vrisnin, domethënë do të dënoheshim me vdekje. Shumë familjarë të alarmuar u dyndën për të takuar të dashurit e tyre, ndoshta për herë të fundit. Nga familja ime nuk lëvizi njeri. Ndoshta lajmi nuk kishte arritur deri në shtëpinë time. Ndoshta nuk e kishin besuar atë.

Në Shqipëri, në kohën e diktaturës, shpesh nuk dije nëse duhej besuar apo nuk duhej besuar një lajm. Shpesh thuhej se pas tij qëndronte armiku, që kërkonte të ngjallte pakënaqësi dhe konfuzion. Ne e dinim gjithashtu se shpesh lajmet në formë thashë e themesh i përhapte edhe vetë diktatura nëpërmjet agjentëve të saj në Sigurimin e Shtetit. Arsyet ishin të shumta e nga më të ndryshmet. Mundet që kështu ngrihej ndonjë kurth. Mundet që testohej opinioni publik, etj., etj. Nëse, në këtë rast, është testuar ky opinion, me siguri ai nuk e ka  mbështetur dënimin nga Gjykata Ushtarake të qindra vetëve njëherësh, pavarësisht se Partisë nuk i mungonin “argumentet” super patriotike! Një dënim i tillë do të kthehej kundër vetë diktaturës, qoftë edhe në heshtje. Sidoqoftë, ne u kthyem të gjallë në familjet tona dhe nisëm punën, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Asnjëherë, nga askush nuk u përmend më  e gjithë kjo histori kaq e zhurmshme dhe kërcënuese. As me Piron nuk e kujtuam ndonjëherë atë gjatë viteve në vazhdim, kur takoheshim për të pirë një kafe në klubin e Sulltanes, banakieres së klubit të vogël në Radio Televizionin Shqiptar. Unë kisha më tepër dëshirë të mësoja diçka nga kultura e tij muzikore, ndërsa ai i sjellshëm, që të më linte rast të flisja, më pyeste për zhvillimet politike në botë. Tani, pas mëse 40 vjetësh, këto shënime më kthyen sërish në ato ditë.

Me Petrit Dumen jam takuar edhe dy apo tri herë të tjera në stërvitjet e mëdha ushtarake, që organizoheshin nga Ministria e Mbrojtjes në kuadër të programeve të saj- “Ushtri e të gjithë popullit ushtar”. Në diktaturë, ushtria shqiptare ishte ndërtuar mbi këtë koncept. Ajo nuk ishte një ushtri kazerme. Pjesë e saj ishte i gjithë populli, që konsiderohej ushtar dhe që duhej përgatitur ushtarakisht. Nuk e di nëse lart në kupolën komuniste apo në Ministrinë e Mbrojtjes, besonin me të vërtetë në “Ushtrinë e popullit ushtar”! Më tepër dua të besoj se krerët e komunizmit apo të pushtetit komunist, nuk u kanë besuar parullave të tyre, por në mungesë të argumenteve, të një logjike të fortë bindëse, i kanë përdorur ato për të imponuar diktatin e tyre, për të terrorizuar dhe gjunjëzuar popullin. Them kështu duke patur parasysh, në rastin konkret, edhe si zhvilloheshin këto stërvitje, sa formale dhe irreale ishin dhe si propagandoheshin.

Gjatë marshimit në zobrin ushtarak, Petrit Dumja më tha: Ti nuk je pas për kapter!

Mua më kujtohet një stërvitje e tillë. Ishim grumbulluar disa qindra rezervistë, intelektualë, punëtorë e fshatarë. Pasi veshëm uniformën ushtarake dhe u pajisëm me armët personale, kallashnikovë dhe pistoleta, sigurisht pa fishekë, u nisëm në një marshim të gjatë që vazhdoi disa ditë e disa netë radhazi, pa pushuar. Më kujtohet kur, si gjithnjë në stërvitje të tilla, të shpartalluar nga stërmundimi, po kalonim përroin e Paprit, dëgjuam disa thirrje nga larg: “Petrit Dumja, Petrit Dumja”! Po afrohej Petrit Dume. Të gjithë u shqetësuan. Të gjithë kishim frikë se ai duke vënë re se si ishim shpërndarë, mund të jepte ndonjë urdhër, që do të rëndonte edhe më tepër gjendjen tonë. Për të mos u ballafaquar me të, rezervistët filluan të hallakateshin edhe më shumë. U thashë atyre që rastësisht gjendeshin pranë meje, por që nuk ishin nën komandën time si oficer rezervist, që të rreshtoheshin. Ata u bindën. Nuk mund të vepronin ndryshe, sepse Petrit Dume i’a behu përpara nesh. Unë, u shkëputa nga kuadrati i rezervistëve të rreshtuar dhe iu paraqita gjeneralit, duke e nderuar dhe duke  recituar formulën përkatëse sipas rregullores ushtarake: “Shoku Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Popullore, sipas urdhrit tuaj oficer…ju paraqitet…”! Nën gjimnastikën time kisha futur një radio portative, që e kisha marrë me vete. Ajo më kishte fryrë barkun dhe kjo gjë nuk mund të mos i binte në sy gjeneralit. I inatosur, ai më tha: “Ç’oficer je ti? Ti nuk je as për kapter. Ti nuk meriton të jesh as ushtar”! Më duket se ai kishte plotësisht të drejtë. Unë, që nuk dija si të veproja sepse rregullorja, për aq sa e njihja, nuk kishte parashikuar situata të ngjashme, nderova dhe pas pak u largova me hap ushtarak. Besoj se kam qenë qesharak, sepse nuk mund të largoheshe me hap ushtarak në një përrua plot gurrë të vegjël e të mëdhenj, por edhe për këtë rast nuk kisha lexuar gjë në rregulloret ushtarake. Sidoqoftë, këtë takim me Petrit Dumen e kaluam lehtë. Ai u largua dhe fill pas tij ne fituam gjendjen e mëparshme, krejtësisht të shpartalluar.

Nuk ndodhi kështu në një stërvitje tjetër të madhe, ose siç quheshin në gjuhën ushtarake, në një tjetër “lojë”. Besoj se ato quheshin “lojë”, meqë imitohej një situatë lufte në kushte paqësore, pra përgatiteshe në atë që quhej “lojë”, për t’u vrarë në situatën që imitohej, në luftë, qëlloje me plumba të rremë, për t’u mësuar të vrisje ose të vriteshe nga plumbat e vërtetë. “Loja” nuk ishte kështu aspak lojë, ose nëse do të këmbëngulim ta quajmë kështu, ajo ishte një lojë me nervat dhe jetën tonë në kohë paqe dhe një lojë me vdekjen në kohë lufte. Nuk më kujtohet me saktësi viti kur u organizua një “lojë” e madhe gjatë së cilës Brigada jonë e I-rë, marshoi ditë e natë duke kaluar krejtësisht e ç’orientuar nëpër kodrat e Tiranës, Elbasanit, Dumresë, Myzeqesë, Peqinit e Kavajës. Në një moment komanda e stërvitjes na mblodhi në oborrin e një shkolle fshati, për të bërë konkluzionet e “lojës”. Pra, u tha se stërvitja kishte përfunduar, si gjithnjë, me sukses. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Socializmi në të gjitha fushat e në çdo veprimtari, njihte vetëm suksese, ne jetonim duke kaluar nga një sukses tek tjetri, nga një fitore tek tjetra! Kjo ishte gjuha zyrtare. Me këtë gjuhë foli edhe komanda e stërvitjes. Ne u gëzuam sigurisht jo nga sukseset, por për vetë faktin se më në fund rraskapitjes sonë i erdhi fundi. Doli që ishim gëzuar para kohe dhe se mbi komandën e stërvitjes, ishte një komandant, që mendonte ndryshe.

Ndërsa po ktheheshim, buzë lumit të Shkumbinit, shikuam të afrohej drejt nesh Petrit Dume. Zakonisht ai i ndiqte stërvitjet hipur në një kalë të bardhë. Këtë herë, sikurse na thanë, një helikopter ushtarak e kishte zbritur aty. Pranë kompanisë tonë gjendeshin edhe dy apo tri rezervistë, që kishin lënë mënjanë rrugës një antitank. Ata nuk kishin më forca ta transportonin këtë armë duke e mbajtur mbi supe. Atyre u ishte thënë se, meqë stërvitja kishte përfunduar, antitank do të ngarkohej në një mushkë, e do të transportohej prej saj, pra mushka do të kryente detyrën e tyre ose ata kishin  kryer deri tani detyrën e mushkës. Petrit Dume, pasi u afrua, e pa anti tankun të lënë mënjanë. Rezervistët i treguan se prisnin arritjen e një mushke për ta ngarkuar atë. Gjenerali kundërshtoi në mënyrë të prerë. “Kjo armë ju takon juve. Ju do ta mbani atë deri në fund”, tha ai. Pasi mbaroi me historinë e mushkës, Petrit Dume na u drejtua ne të tjerëve. “Të gjithë do të ktheheni pas. Loja do të nisë nga e para”, tha ai. Dilte se konkluzionet e komandës së stërvitjes, kishin qenë të rreme, se stërvitja apo “loja” nuk ishte kryer me sukses, ose se gjeneralit i duhej edhe një sukses mbi suksesin e arritur tashmë, ose, ose, gjenerali tallej me të gjithë dhe kënaqej me talljen e tij. Në parantezë, dua të shtoj se për sjellje të ngjashme të Petrit Dumes, kam lexuar edhe në shtypin shqiptar të viteve të post diktaturës. Ai eksperimentonte, p.sh., me të rinjtë e Shkollës Ushtarake “Skënderbeg”. Petrit Dume i niste ata në marshime të gjata nëpër male të pabanuar e të pashkelur nga këmba e njeriut, duke u dhënë vetëm dy galeta në ditë si ushqim. Ai donte të provonte kështu rezistencën e ushtarakëve tanë!

Ne nuk mund të mos e zbatonim urdhrin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ai urdhër ishte krejtësisht i palogjikshëm, por ushtria nuk funksionon në bazë të logjikës, por të urdhrave dhe bindjes ndaj tyre, ndryshe ajo shpërbëhet. Kështu edhe ne u kthyem të gjithë mbrapsht. Filluam sërish të gjarpërojmë në errësirë nëpër labirinthe kodrash të pafund, pa asnjë objektiv, pa asnjë urdhër të ri veprimi. Lodhja rëndonte mbi gjymtyrët tona si qivur i plumbtë. Shpartallimi dhe çorganizimi mbretëronin kudo. As e dinim ku shkonim, as se sa do të marshonim, vetëm ecnim, apo më mirë, vetëm zvarriteshim si hije të ferrit ne që do të shkatërronim çdo armik, edhe NATO-n, edhe Traktatin e Varshavës, edhe të dy këto blloqe ushtarake nëse do të binin në ujdi e do të na sulmonin së bashku! Në këtë stërvitje, kam qenë së bashku me shokun dhe kolegun tim të Radio Tiranës, Hysni Litën. Në një moment nuk mund të ecnim më, këmbët nuk na bindeshin. Vendosëm të futemi në një arë të mbjellë me misra e të kalojmë natën aty, të merrnim pak forcë për të vazhduar marshimin tonë të çmendur. Kur po fillonim të dremisnin sikur të ishim në shtretërit e ndonjë hoteli me pesë yje, dëgjuam zëra që thërrisnin. Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!