Kjo Ligë Kombesh, përveç faktit që përfitojnë të ardhura financiare dhe kanë mundësinë të provojnë veten ndaj skuadrave të forta, u jep mundësinë disa skuadrave të kalojnë në fazën Play-Off për Botërorin e Katar 2022.
Në listën e skuadrave që kanë shanse është edhe Shqipëria, megjithëse mundësitë janë shumë pranë zeros. Italia, Belgjika, Franca, dhe Spanja, që u renditen të parat në Ligën A, do ishin të parat që do përfitonin.
Gjithsesi është e vështirë të mendohet që ekipet e mësipërme të mos renditen në dy vendet e para në kualifikueset e Botërorit. Radhën për të përfituar një shans të dytë e kanë ekipe e Ligës B, që dolën të parat në grupe.
Austria, Çekia, Hungaria dhe Uellsi janë ato që e mbyllën në vend të parë, ndërkohë që para Shqipërisë për të përfituar janë edhe Sllovenia dhe Mali i Zi, kryesuese grupesh në Ligën C, që grumbulluan më shumë pikë se kuqezinjtë e Rejës.
Që Shqipëria të ketë mundësinë të shkojë në Play-Off duhet që tetë skuadrat e para në grupet e Ligave B dhe A dhe një mes Sllovenisë e Mali të Zi, të dalin të gjitha në dy vendet e para të kualifikueseve të ardhshme të Botërorit.
Kjo do të thotë se mundësitë që Shqipëria ka thuajse zero mundësi. Disa nga skuadrat e lartpërmendura janë në vazot tre apo katër të shortit të eliminatoreve, çka do të thotë se do kenë skuadra ndjeshëm më të forta në grup dhe do e kenë të vështirë të arrijnë vendin e dytë, e jo më të parin.
Sllovenia dhe Mali i Zi janë në vazon e katërt dhe do jetë thuajse mision i pamundur të arrijnë dy vendet e para. Mision i vështirë gjithashtu edhe për Çekinë dhe Hungarinë, që ndodhen në vazon e tretë dhe do kenë dy skuadra më të mira në grupin e tyre në kualifikuese. Edhe Uellsi i vazos së dytë nuk do ta ketë të lehtë.
Kështu, paraprakisht mund të themi se është thuajse e pamundur që Shqipëria të kalojë në Play-Off për t’u kualifikuar në Botërorin 2022, por na mbetet të shijojmë suksesin e ngjitjes në Ligën B dhe të gjejmë vendin e duhur për të investuar 1.125 milionë eurot e fituara. /abcnews.al