Grupet që e akuzojnë Kinën për shkelje të të drejtave të njeriut kundër pakicave, po bëjnë thirrje për një bojkotim të plotë të Lojërave Olimpike Dimërore 2022 në Pekin, një hap që ka të ngjarë të rrisë presionin mbi Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), atletët, sponsorizuesit dhe federatat sportive.
Një koalicion që përfaqëson ujgurët, tibetianët, banorët e Hong Kongut dhe pakica të tjera publikoi një deklaratë të hënën ku bëhet thirrje për bojkot, duke kaluar kështu përtej ideve të hedhura deri tani për masa më të vogla si “bojkot diplomatik” apo negociata të mëtejshme me IOC-në dhe Kinën.
“Afati për të biseduar me IOC-në ka kaluar,” tha Lhadon Tethong i Institutit të Tibetit për Veprim në një intervistë ekskluzive me agjensinë The Associated Press. “Këto nuk mund të jenë lojëra si të mos ketë ndodhur asgjë; as për IOC-në dhe as për komunitetin ndërkombëtar”, tha ajo.
Lojërat e Pekinit do të hapen më 4 shkurt të vitit 2022, vetëm gjashtë muaj pasi të përfundojnë Lojërat Olimpike të Tokios që u shtynë.
Grupet e të drejtave të njeriut janë takuar disa herë gjatë vitit të fundit me IOC-në, duke kërkuar që lojërat të mos zhvillohen në Kinë. Një anëtar kryesor në këto bisedime ishte Zumretay Arkin i Kongresit Botëror Ujgur.
Vetë Tethong, u arrestua dhe u dëbua nga Kina në vitin 2007 – një vit para Lojërave Olimpike Verore të Pekinit – pasi drejtoi një fushatë për Tibetin.
“Situata ku jemi tani është qartësisht më e keqe nga ajo atëherë,” tha Tethong, duke theksuar se IOC-ja tha se Lojërat Olimpike 2008 do të përmirësonin të drejtat e njeriut në Kinë. “Nëse lojërat vazhdojnë, atëherë Pekini merr vulën ndërkombëtare të miratimit për atë që po bën”, tha ajo.
Thirrjet për bojkot vijnë një ditë para një seance të përbashkët dëgjimi në Kongresin Amerikan që do të përqendrohet në Lojërat Olimpike të Pekinit dhe të drejtat e njeriut në Kinë, dhe vetëm disa ditë pasi Komiteti Olimpik dhe Paraolimpik i Shteteve të Bashkuara tha se bojkotet nuk janë efektive dhe dëmtojnë vetëm atletët.
“Njerëzit kanë punuar në mirëbesim për t’u angazhuar me IOC, për t’i bërë ata të kuptojnë çështjet drejtpërdrejt nga goja e më të prekurve – ujgurët që janë në krye të asaj liste, tibetianët dhe të tjerët,” tha zonja Tethong.
IOC-ja ka thënë vazhdimisht se duhet të jetë “neutrale” dhe të qëndrojë jashtë politikës. Organi me seli në Zvicër është në thelb një biznes sportiv, që siguron rreth 75% të të ardhurave nga shitja e të drejtave të transmetimit dhe 18% nga sponsorizuesit. Ajo ka gjithashtu statusin e vëzhguesit në Kombet e Bashkuara.
“Ne nuk jemi një qeveri mbarë botërore,” tha kohët e fundit Presidenti i IOC-së, Thomas Bach.
Ministria e jashtme e Kinës ka kritikuar “politizimin e sporteve” dhe ka thënë se çdo bojkot është “i destinuar të dështojë”. Kina ka mohuar akuzat për gjenocid ndaj popullit ujgur.
Në një raport të fundit të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet qartë se “gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit” kanë ndodhur vitin e kaluar kundër ujgurëve myslimanë dhe pakicave të tjera në rajonin perëndimor Xinjiang.
Zonja Tethong tha se e di që disa atletë mund të kundërshtojnë bojtokin. Por të tjerë, që u tërhoqën nga lëvizja Black Lives Matter, mund të bëhen aleatë të çështjes. Ajo thotë se ky është momenti për të bërë të ditur qëndrimin haptazi.
“Padyshim që ka shumë njerëz që shqetësohen për atletët dhe punën e tyre gjatë gjithë jetës,” thotë zonja Tethong. “Por në fund është IOC-ja që i ka vendosur ata në këtë pozitë dhe ajo duhet të mbajë përgjegjësi.”
Skiatorja amerikane Mikaela Shiffrin, dy herë fituese e medaljes së artë olimpike, shprehu dilemën me të cilën përballen atletët gjatë një interviste kohët e fundit në CNN.
“Si atlete nuk do më pëlqente të vihesha në pozitë për të zgjedhur mes të drejtave të njeriut dhe të qenit në gjendje të bëj punën time,” tha ajo.
Tethong sugjeroi që anëtarët e koalicionit mund të lobojnë tek 15 sponsorizuesit kryesorë të IOC-së, si rrjeti amerikan NBC, i cili gjeneron rreth 40% të të gjitha të ardhurave për IOC, federatat sportive, grupet e shoqërisë civile “dhe këdo që do të dëgjojë” shqetësimet e tyre.
Aktivistët tashmë po i tërheqin vëmendjen kompanisë Airbnb që është sponsorizuese e IOC-së.
“Së pari është pyetja morale”, thotë Tethong. “A është mirë të organizosh një ngjarje sportive ndërkombëtare siç janë Lojërat Olimpike ndërsa vendi pritës po kryen gjenocid pak më tej tribunave?”
Në takimet me IOC-në, aktivistët thonë se kanë kërkuar të shohin dokumente në të cilat Kina jep “siguri” në lidhje me kushtet e të drejtave të njeriut.
Aktivistët thonë se IOC-ja nuk ka dhënë dokumente të tilla.
IOC-ja përfshiu kërkesat e të drejtave të njeriut disa vjet më parë në kontratën e qytetit pritës për Lojërat Olimpike të Parisit 2024, por nuk i përfshiu ato udhëzime – Parimet Udhëzuese të Kombeve të Bashkuara për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut – për Pekinin. Parisi është olimpiada e parë që u nënshtrohet standardeve, të kërkuara prej kohësh nga grupet e të drejtave të njeriut.
Javën e kaluar, grupet e të drejtave të njeriut dhe vendet perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Gjermania akuzuan Kinën për krime masive kundër pakicës ujgure dhe kërkuan qasje të papenguar të ekspertëve të OKB-së./VOA