Protestat, babai i Klodianit: Reagimi lehtësim për dhimbjen, mos lëndohet asnjë djalë nëne

schedule19:30 - 12 Dhjetor, 2020

schedule 19:30 - 12 Dhjetor, 2020

Mbrëmjen e sotme në media qarkulloi një letër sikur ishte shkruar nga familja Rasha ku kërkonte nga të rinjtë në protestë që të mos manipulohen nga politika dhe të mos ketë dhunë ndaj efektivëve të policisë. Nipi i Qazim Rashës pohoi se letra ishte shkruar nga xhaxhai.

I pyetur mbi letrën e shpërndarë në media, Qazim Rasha, babai i të ndjerit Klodian Rasha u shpreh në një prononcim për Abcnews.al se ajo është një deklaratë e dhënë që ditën e parë, ndërsa tha se reagimi i qytetarëve e lehtëson, por kërkoi që të mos lëndohen bij të tjerë nënash nga tubimet.

Atë deklaratë e kam thënë që ditën e parë, është prononcimi që kam dhënë. Atë e kam deklaruar që unë kërkoj që për hir të djalit asgjë të mos jetë e tepërt dhe të mos rëndohet akoma ajo pesha e dhimbjes sime. 

Mesazhin e kam për mbarë shqiptarët që ai që e ndjen me shpirt dhimbjen për të protestuar, unë të drejtën e protestës, unë nuk i imponoj dhe as i detyroj njeri, është dëshira, vullneti dhe zemra që ndjen cdo njeri për atë dhimbjen që ndjej unë, dhe ajo është një lehtësim që më jep një kurajo, lehtësim dhimbjes, por unë ma andej, unë nuk kam nevojë dhe fjalë të tjera. 

Nuk jam absolutisht për akte dhune dhe dëmtim, se m’u dëmtua djali im, mos dëmtohet asnjë djalë nëne, asnjë lloj. Unë jam një qytetar i Tiranës. Jam për të mirën e gjithkujt.

Nuk dëshiroj një djalë nëne tjetër t’i ndodhë kjo që më ndodhi mua. Dëshiroj që me kaq të mbyllet dhe të mos kem lëndime të tjera” tha Qazim Rasha për Abcnews.al.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!