Një 30 vjeçar i cili ka thyer masën e sigurisë arrest shtëpie ka rënë në prangat e policisë së Lezhës.
Policia bën me dije se shtetasi me iniciale M.V. i cili është dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike është kapur në lëvizje, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shëngjinit” , Lezhë.
Njoftimi i plotë:
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, arrestohet në flagrancë 30-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë, arrestuan në flagrancë shtetasin M.V., 30 vjeç, banues në Shkodër, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë kanë marrë informacion se 30-vjeçari nuk e zbatonte vendimin e Gjykatës dhe në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Shkodër, pasi kanë ushtruar kontroll për zbatimin e masës së sigurisë, nuk e kanë gjetur në banesë. Pas kontrolleve të shumta, nga shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë është gjetur dhe arrestuar shtetasin M.V., i cili ishte në lëvizje, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shëngjinit” , Lezhë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al