Thesaret që fshihen në Arkivën e Shtetit

schedule23:07 - 26 Qershor, 2022

schedule 23:07 - 26 Qershor, 2022

Shumëkush, duke ndjekur shkrimet apo materialet e ndryshme filmike, mund të ketë formuar ca njohuri të cekëta për dokumentet që sot ruhen në Arkivat e Shtetit.
Dy dhjetëvjeçarët e fundit një numër studiuesish dhe gazetarësh janë munduar të kalojnë në filtër sidomos të gjitha historitë e kohës së komunizmit, kjo për shkak të interesit konstant për informacion që ka nga një pjese e madhe e popullsisë.

Ndërkohë që për pjesën tjetër të materialeve, për shkak edhe të interesit më të pakët, veç capak arkivistëve, askush tjetër nuk ka njohuri më të zgjeruara.

Por çfarë thesaresh fshihen në Arkivin e Shtetit Shqiptar? Çfarë informacioni ruajnë depot përplot me materiale dhe sa është përçuar ai për publikun?

Në fakt, mjafton një vizitë, qoftë edhe e përciptë, që të shkosh në rezultate zhgënjyese. Rezultate që thonë se studiuesit, historianët dhe gazetarët ende nuk kanë një ide të plotë për sasinë dhe llojshmërinë e dokumenteve që ruhen në këtë arkiv.

Periudha të tëra kohore, ngjarje e zhvillime të tëra historike, personazhe pjesë të këtyre historive, nuk janë prekur fare me dorë dhe në shumë raste as nuk dihet që ekzistojnë.
Aq i pamatë është materiali që ruhet këtu, sa çfarëdolloj impenjimi afatshkurtër, për të bërë një pasqyrim për publikun, do të rezultonte tejet i përciptë.
Salla më e rëndësishme është ajo e dorëshkrimeve të rralla. Ruhen dokumentet më të vjetra, sigurisht të shkruara me dorë. Një derë super e blinduar, aparaturat për të ruajtur materialet nga lagështia dhe sistemet e tjera kundër zjarrit, tregojnë rëndësinë e materialeve.

Dokumenti më i vlefshëm që ruhet është Kodiku i Purpurt i Beratit, një ungjill i shkruar në lëkurë kafshësh, apo pergamenë, që daton shekullin e 6 pas Krishtit. Historia e tij është e njohur. Ai u gjet në gjendje të mjeruar në vitin 1968 në një kishë të vjetër të Kalasë së Beratit dhe u dërgua në Kinë për restaurim.

Aty specialistët futën në mes të fletëve me pleksiglas 190 faqet e kodikut të lashtë që për shkak të trashësisë së përftuar tashmë ruhet në 9 volume.
Pas restaurimit në Kinë rreth gjysmë shekulli më parë, vëzhgimet e specialistëve kanë konstatuar se kodikët nuk kanë pasur as më të voglin dëmtim që zakonisht e shkakton koha dhe elementët atmosferikë.

Një pjesë interesante e kodikut është edhe kopertina metalike e ribërë nga tregtarët e Beratit në shekullin e 19.

Në Arkiv ruhen edhe disa dokumente unikale, që vijnë nga Mesjeta, që lidhen me trojet shqiptare dhe që paraqesin interes të shumanshëm.
Janë disa vendime të Patriarkanës Ikumenike të Stambollit për manastirin e Kamenës që gjendet në Delvinë dhe që përbën një nga objektet fetare më të vjetra të Ballkanit.

Një tjetër dokument interesant i Mesjetës mbart informacionin e blerjes së një vile në Itali. Me një kaligrafi të admirueshme aty është fiksuar gjithçka që noterët, edhe tashmë, kujdesen të shkruajnë në rastet e shitblerjes së pronave.

Shqiptarët mund ti kenë parë në filma artistikë, por në Arkivin e Shtetit shqiptar ruhen, qysh nga shekulli i 15, edhe disa urdhra apo vendime origjinale të Sulltan Bajazitit të Dytë, që drejtoi Perandorinë Osmane menjëherë pas vdekjes, në vitin 1481, të Mehmet Pushtuesit, i njëjti që zaptoi edhe të gjitha trojet shqiptare.

Në krye të dokumentit bie në sy firma zyrtare e Sulltan Bajazitit të Dytë, që korrespondon me firmën zyrtare të tij.

Më tej në Arkiv, një vend i rëndësishëm, u është dhënë dy veprave të Fuzulit, një poeti të famshëm të shekullit të 16. Libri i parë që ruhet, publikuar në vitin 1888, ka përmbajtje fetare, por merr peshë prej faktit se është i shkruar shqip, por me shkronja arabe.

Këto dhe të tjera dokumente interesante, bashkë me historinë dhe vlerën e tyre, janë objekti i radhës i fokusit të emisionit Abc/Story të gazetarit Ferdinand Dervishi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!