Julian Asanzh rrezikon të vdesë në burg nëse nuk merr mjekim të menjëhershëm. Lajmi është publikuar nga Skaj Njus, i cili njëkohësisht publikon dhe një letër të hapur të firmosur nga më shumë se 60 mjekë. Këta të fundit pretendojnë se themeluesi i Wikiliaks vuan nga shqetësime fizike dhe psikologjike,përfshirë dhe depresionin. Mjekë të Mbretërisë së Bashkuar, Sri Lankës, europianë dhe australianë u shprehën të shqetësuar për faktin nëse Asanzh mund të përballojë një proces gjyqësor.
Letra e tyre i është dërguar ministrit të brendshëm britanik, Priti Patel. Asanzh, 48 vjeç, mbahet në burgun e Belmarsh, në juglindje të Londrës, në pritje të seancës gjyqësore të programuar për në muajin shkurt, ku do të kundërshtojë ekstradimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku duhet të përballet me 18 akuza. Mes tyre është dhe ajo për komplot për të hakeruar një kompjuter “të klasifikuar” të Pentagonit.
Mjekët kërkojnë transferimin e Asanzh në një spital, ku mund t’i nënshtrohet kontrolleve dhe terapive nga ana e një stafi mjekësor. Në letër shkruhet ndër të tjera se nga një këndvështrim mjekësor, dhe me provat në dispozicion, ka vend për shqetësim për sa i përket mundësisë së Asanzh për t’u përballur me procesin gjyqësor në 2020-tën./abncews.al