Thellohet misteri i vrasjes në Fier, zbulohet lidhja e 8-vjeçarit me autorin

schedule21:25 - 16 Nëntor, 2021

schedule 21:25 - 16 Nëntor, 2021

Thellohet akoma më shumë mister i vrasjes makabre në Fier. 8-vjeçari i vrarë nga Klodian Çalamani ishte nipi i Florian Vasiut, me të cilin 15 vite më parë kishin rrëmbyer dhe torturuar për 20 minuta një 16-vjeçare.

Shkak i kësaj ngjarjeje ishte bërë ngacmimi i përsëritur i Florianit ndaj vajzës atëherë 16 vjeçe, e cila ndiqte vitin e dytë në gjimnazin “Perikli Ikonomi” në Fier. Bezdisjet e herëpashershme që Floriani kishte kryer ndaj 16-vjeçares N.R., ishin vërë re rastësisht nga i dashuri i saj, E.N. nga Fieri, i cili e kishte takuar atë duke i thënë që të mos e shqetësonte më të dashurën e tij.

Në këtë kohë ka ndërhyrë Klodian Çalamani dhe i ka ndarë. Floriani dhe Klodiani, duket se kanë planifikuar ndëshkimin e fqinjës së tyre të mitur, duke e kërcënuar se do t’i dëmtonin pjesë të ndryshme të trupit të saj.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, një prej të dënuarve, Klodiani, ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Dy të rinjtë u dënuar nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. m.v/Abcnews.al