Sipas analistëve ushtarakë, raportet se SHBA blenë 81 aeroplanë luftarakë të epokës sovjetike nga Kazakistani, ka të ngjarë të jenë të rreme. Të dielën, Kyiv Post raportoi se Kazakistani kishte nxjerrë në ankand 117 aeroplanë luftarakë dhe bombardues të epokës sovjetike për një tarifë të raportuar në vlerë prej rreth 2.26 milionë dollarë, nga të cilat 81 ishin blerë nga SHBA.
Gazeta citoi raporte nga kanali ukrainas Telegram Insider UA dhe faqja ruse e lajmeve Reporter.
Kyiv Post tha se arsyeja e blerjes nga SHBA nuk u bë publike, por se aeroplanët “ka gjasa” të transferohen në Ukrainë, e cila po lufton kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.
Por Kazspetsexport, importuesi dhe eksportuesi i armëve në pronësi të Kazakistanit, mohoi shitjen e aeroplanëve ushtarakë në Ukrainë në një deklaratë të mëvonshme, duke thënë se kompanitë e huaja nuk lejoheshin të bënin ofertë.
Dhe sipas Francisco Olmos, një studiues në Qendrën e Politikës së Jashtme i specializuar në Çështjet e Azisë Qendrore, është “shumë” e vështirë të përcaktohet nëse shitja ka ndodhur me të vërtetë.
Por ai tha se mohimi i Kazspetsexport “i jep peshë faktit që një blerje e tillë nga SHBA nuk u bë”. Ai tha gjithashtu se nuk e sheh pse Kazakistani do të sigurojë në mënyrë indirekte pjesë rezervë për aeroplanët ukrainas.
Duke pasur parasysh mbështetjen e Ukrainës në armët e epokës sovjetike, Kyiv Post kishte theksuar se aeroplanët mund të shërbenin ose si burim i pjesëve rezervë ose të vendoseshi strategjikisht si karrem në fusha ajrore.
“Astana ka mbajtur një qëndrim të ekuilibruar gjatë konfliktit dhe kjo do ta ndryshonte ndjeshëm atë”, thekson Olmos. “Të mos harrojmë se Rusia dhe Kazakistani vazhdojnë të kenë lidhje të ngushta, politikisht dhe ekonomikisht”.
Ndërsa Alexander Libman, një profesor i politikës ruse dhe të Evropës Lindore në “Free University of Berlin”, tha se ai do të dyshonte “seriozisht” nëse një marrëveshje e tillë mund të ndodhte.
“Kazakistani ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm për të mos krijuar tensione si me Rusinë ashtu edhe me vendet perëndimore, dhe furnizimi me armë në Ukrainë do të ishte një shkelje e qartë e kësaj strategjie”, ka thënë ai për Business Insider.
Ndërkohë që Pentagoni nuk pranoi të komentojë, Ambasada e Kazakistanit në SHBA i tha BI-së në një deklaratë se Kazakistani nuk eksporton ose shet armë dhe pajisje ushtarake në asnjë vend, përfshirë SHBA-në, nën një moratorium në fuqi që nga gushti 2022.