Vrasja e dy civilëve dhe plagosja e shumë të tjerëve kanë thelluar më tej krizën në Venezuelë. Ngjarja ka ndodhur në kufirin me Brazilin, ku banorët dhe forcat e sigurisë u përplasën për shkak të kalimit të ndihmave humanitare. Në zonë pritet të mbërrijë edhe lideri i opozitës Huan Guaido.
Forcat venezueliane të sigurisë vranë të paktën 2 persona dhe plagosën shumë të tjerë ditën e premte, në kufirin me Brazilin. Bëhet fjalë për gjakderdhjen e parë të lidhur me përpjekjet e opozitës për të futur në territorin e vendit latin ndihmat humanitare amerikane. Episodi ndodhi teksa një koncert për mbledhjen e fondeve për Venezuelën po mbahej në qytetin kolumbian të Kukutës, ku Shtetet e Bashkuara vendosën fundjavën që kaloi ndihmat humanitare. E ndërsa tensionet po rriten, presidenti Nikolas Maduro deklaroi se përpjekjet e opozitës për të sjellë ndihmat amerikane janë një shfaqje e nivelit të ulët për të rrëzuar qeverinë e tij. Maduro e ka mbyllur kufirin jugor me Brazilin dhe ka kërcënuar se do të bëjë të njëjtën gjë me kufirin kolumbian. Disa analistë deklarojnë se përpjekja e opozitës për të sjellë ndihmat do të shërbejë më tepër si një test për besnikërinë e ushtrisë ndaj presidentit Maduro. Me inflacionin që është ngjitur mbi 2 milion për qind brenda vitit dhe në mungesë të nevojave bazë rreth 30 milionë banorë të Venezuelës po vuajnë nga kequshqimi. Aktet e dhunës së të premtes shpërthyen pasi fiset indigjene në jug të Venezuelës u përpoqën të ndalonin karvanin ushtarak që po udhëtonte drejt kufirit me Brazilin, me urdhër të Maduros, për të penguar hyrjen e ndihmave. /abcnews.al