Motivi i Rusisë për vendosjen e trupave ushtarakë në kufi me Ukrainën është ende i paqartë, por ajo çfarë po ndodh është thelbësore.
Politika e jashtme e Vladimir Putin kërkon të sfidojë dhe të hutojë ndërkombëtarët. Rusët e zakonshëm nuk kanë asgjë për të fituar nga vendosja e mijëra ushtarëve në kufi, plus tanke dhe artileri, për të kërcënuar një shtet fqinj, ashtu siç nuk kanë përfituar asgjë nga aneksimi i Krimesë në 2014.
Përkundrazi, ata kanë vuajtur nga sanksionet ndërkombëtare.
Por aventurat ushtarake të Putin e lejojnë atë të paraqitet si një njeri i fortë që sfidon perëndimin. Pushtimi i territorit që dikur ishte në Bashkimin Sovjetik ishte thelbësor për t’i rikthyer krenarinë kombit pas humbjes së statusit të superfuqisë.
Kjo agjendë është jetike për një president i cili nuk ka asgjë tjetër për t’i ofruar popullit të tij. Korrupsioni endemik dhe autoritarizmi ngacmues kanë prodhuar amulli ekonomike.
Mungesa e një plani për ta bërë Rusinë konkurruese në sferat civile, ka bërë që Kremlini të mbështetet në veprimet ushtarake, spiunazhin kibernetik dhe ligësitë gjeopolitike për të treguar se nuk mund të injorohet.
Kjo dinamikë përbën një kërcënim për sovranitetin e Ukrainës dhe një sfidë për aleatët e saj. Dominic Raab, sekretari i jashtëm, u takua të mërkurën me homologët e tij amerikanë, francezë dhe gjermanë për të diskutuar situatën e përshkallëzuar.
Në teori, NATO mbështet Kievin. Mbështetja është “e palëkundur”, sipas Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i aleancës. Antony Blinken, sekretari i shtetit të SHBA-së, e ka përshkruar sjelljen e Rusisë provokuese.
Mbështetja e Joe Biden është një faktor i rëndësishëm. Nëse SHBA vendos të ndërhyjë, Putin do ta cilësojë si një licencë për të zgjeruar atë që ai e sheh si “sferën e tij të ndikimit” në Europë – ndoshta edhe me forcë.
Ushtria ukrainase është stërvitur dhe pajisur më mirë sesa ishte në 2014, falë ndihmës së NATO-s (dhe armatimit amerikan), por kjo mund të mos e pengojë Rusinë, raporton abcnews.al
Frika nga një reagim i brendshëm sapo numri i viktimave të rritet do të ishte një pengesë më e madhe. Fakti që diçka e tillë mund të ndodhë duhet të jetë shkak që ky konflikt të marrë më shumë vëmendje nga kryeqytetet europiane.
Londra është si një skifter në marrëdhëniet me Rusinë (veçanërisht pas helmimit të Skripal), por Parisi dhe Berlini kanë tendencë të jenë më të kujdesshëm në përballjen me Kremlinin.
Ka çështje tregtare, si dhe strategjike në lojë – jo më e rëndësishmja prej të cilave është një projekt tubacioni për transportimin e gazit rus në Gjermani. Bashkimi Europian ende nuk ka marrë pozicionin dhe rolin e duhur për koordinimin e politikës së jashtme.
Sa më të mëdha të jenë përçarjet brenda NATO-s, aq më shumë Putin do të krijojë hapësirë për manovrat e tij.
Dhe kjo vë në rrezik Ukrainën dhe stabilitetin e Europës Lindore. Nuk ka asnjë mënyrë për t’ia dalë me Rusinë kur politika e saj e jashtme kushtëzohet nga nacionalizmi paranojak dhe loja cinike për një audiencë të brendshme me anë të ndezjes së konfliktit ndërkombëtar.
Por pika kryesore për demokracitë në të dy anët e Atlantikut duhet të jetë solidariteti, me një shtet sovran që tashmë ka vuajtur nga agresioni territorial i Kremlinit dhe që vazhdon të kërcënohet ende. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al