Listës së gjatë të urimeve për Maqedoninë pas miratimit në parlament të ndryshimeve kushtetuese në kuadër të marrëveshjes për emrin me Greqinë, i është bashkuar dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ky i fundit u shpreh se parlamenti i Maqedonisë dha një shembull shumë të mirë uniteti.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur i lumtur me votimin mbrëmjen e së premtes në Kuvendin e Maqedonisë për ndryshimin e emrit. Me anë të një mesazhi në profiling e tij në Facebook, kreu I shtetit kosovar u shpreh se shteti fqinj zgjodhi rrugën e integrimeve euroatlantike dhe bëri një hap të madh për forcimin e paqes në tërë rajonin.Sipas Thaçit, Kuvendi i Maqedonisë ka dhënë shembullin e bashkimit të të gjitha partive për të mirën e qytetarëve dhe shtetit të tyre.
“Maqedonia e zgjodhi rrugën e integrimeve euroatlantike dhe bëri një hap të madh për forcimin e paqes në tërë rajonin tonë. Kuvendi i Maqedonisë mbrëmë dha shembullin e bashkimit të të gjitha partive për të mirën e qytetarëve dhe shtetit të tyre. Shteti forcohet dhe integrohet kur të zgjedhurit e popullit marrin vendimet e duhura dhe tejkalojnë interesat politike për interesat shtetërore. Republika e Kosovës i gëzohet këtij vendimi shumë të rëndësishëm të shtetit tonë fqinj. Paqen dhe stabilitetin në rajon e forcojmë vetëm duke dëshmuar vendosmëri në orientimin euroatlantik dhe duke punuar shumë për integrimin në familjen evropiane”, shkruan ndër të tjera Thaçi./abcnews.al

