Thaçi: Trazira dhe luftë nëse nuk ka marrëveshje me Serbinë

schedule15:20 - 12 Tetor, 2018

schedule 15:20 - 12 Tetor, 2018

Presidenti i Kosovës në një intervistë për “France 24” paralajmëroi se mos arritja e një marrëveshjeje pajtimi me Serbinë do të sjellë trazira dhe luftë. Ai mbrojti përsëri idenë e korrigjimit të kufijve.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se pa arritjen e një marrëveshjeje reciproke në Bruksel, nuk ka të ardhme evropiane as për Kosovën e as për Serbinë. Në një intervistë për televizionin francez “France 24”, kreu i shtetit njësoj sikurse kryeministri kosovar i është kthyer retorikës së luftës. Por ndryshe nga Haradinaj, ai thotë se mosarritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të sjellë trazira dhe luftë.

“Marrëveshja i shuan të gjitha këto”, shprehet presidenti Thaçi.

Presidenti nënvizon se në momentin që Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja garantojnë që Serbia do ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, atëherë ai vetë do të nënshkruajë marrëveshjen paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Do ta nënshkruaj një marrëveshje të tillë, pavarësisht kundërshtimeve dhe kritikave, sepse një gjë e tillë është e rëndësishme për të ardhmen e vendit tim”, bëri të ditur Thaçi.

Më tej në intervistë për “France 24”, presidenti mbrojti përsëri idenë e tij për korrigjim të kufijve. Ai thotë se në rast të mosarritjes së një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes korrigjimi të kufijve, atëherë do të shfaqej rreziku i ndarjes së Kosovës dhe themelimit të ‘Republikës Srpska’. Ndër të tjera presidenti Thaçi garantoi ruajtjen e shpirtit multietnik i Republikës së Kosovës dhe se nuk do të ketë ndarje në vija etnike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!