Thaçi telefonatë me presidentin e KE-së, Samiti i Zagrebit mesazh për Ballkanin Perëndimor

schedule16:17 - 6 Maj, 2020

schedule 16:17 - 6 Maj, 2020

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, këtë të mërkurë ka zhvilluar një telefonatë me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Zagrebit që do të zhvillohet këtë pasdite, nën organizimin e Kroacisë si kryesuese e radhës e BE-së.

Thaçi është shprehur se në këtë bisedë ka rënë dakord me presidentin Michel se BE-ja duhet të vazhdojë angazhimin për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane dhe se mesazh pozitiv në këtë drejtim është edhe mbajtja e Samitit të Zagrebit.

Presidenti Thaçi kërkoi që shtetet anëtare të BE-së të marrin sa më parë vendimin për liberalizim të vizave. Dy liderët u pajtuan se përkundër rrethanave të pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID19, angazhimi për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe garantimin e punës së institucioneve të pavarura është jetik.

Ndër të tjera dy palët kanë theksuar dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit të BE-së me shtetet anëtare dhe aktorët tjerë që kanë rol në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!