Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar ndaj një dokumenti të publikuar, ku aludohet se sistemi serb ka ekzekutuar veprimtarin Ukshin Hoti.
Thaçi përmes një statusi në Facebook, duke vlerësuar kontributin e Hotit, ka thënë se Kosova ka mijëra qytetarë të pagjetur dhe shteti serb duhet të japë përgjigje e përgjegjësi për fatin e tyre.
“Personaliteti i Ukshin Hotit është monument madhështor i ndërtuar nga filozofia politike dhe fuqia e fjalëve të tij. Ai mbeti deri në fund veprimtar i palëkundur i lëvizjes sonë kombëtare për liri e pavarësi. Me tërë qenien e tij ishte në shërbim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor e kombëtar”, thotë Thaçi.
Ai ka theksuar se Kosova ka mijëra qytetarë të pagjetur dhe shteti serb duhet të japë përgjigje e përgjegjësi për fatin e tyre.
“Duhet të japë përgjigje e përgjegjësi edhe për Ukshin Hotin”, ka shkruar Thaçi më tej.