Thaçi në Shkup: Votoni për të ardhmen tuaj

schedule14:46 - 12 Shtator, 2018

schedule 14:46 - 12 Shtator, 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar në Shkup me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Kreu i shtetit kosovar u bëri apel maqedonasve që në 30 Shtator të dalin të votojnë për të ardhmen e tyre.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka pritur në Shkup presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pas bisedës, ata kanë dalë në konferencë të përbashkët për shtyp. Kreu i ekzekutivit maqedonas theksoi rëndësinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit

Zoran Zaev: “Maqedonia përshëndet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Maqedonia mbështet zgjidhjen që do të përforcojë paqen dhe stabilitetin në rajon. Është e rëndësishme që liderët e rajonit të bashkohen në rrugën drejt integrimit euro-atlantik”.

Nga ana e tij, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, vlerësoi nivelin e  bashkëpunimit mes dy vendeve, duke theksuar edhe ndërtimin e autostradës e cila do të mundësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Hashim Thaçi:  “Kosova dhe Maqedonia nuk kanë asnjë çështje të hapur, janë dy shtete mike me një bashkëpunim të shkëlqyer”.

Por Thaçi është ndalur dhe tek vizita e presidentit serb në Kosovë.

Hashim Thaçi:  “Vizita e Vuçiç është bërë me lejen e autoriteteve kosovare. Deklaratat e tij në Kosovë ishin emocionale dhe nuk i shërbejnë dialogut Kosovë-Serbi”.

Në fund të fjalës së tij, Thaçi ftoi qytetarët e Maqedonisë që të votojnë “pro”referendumit sepse sipas tij, Maqedonia në NATO nënkupton stabilitet për të gjithë rajonin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!