Thaçi këmbëngul në idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë

schedule11:29 - 6 Shkurt, 2019

schedule 11:29 - 6 Shkurt, 2019

Një korrigjim i lehtë kufijsh duhet pranuar për hir të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Është kjo deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaroi se nuk do të pranohet asnjë marrëveshje që nuk mbështetet dhe nga Uashingtoni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se nuk do të pranohet asnjë marrëveshje përfundimtare me Serbinë që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një bashkëbisedimi në “Council on Foreign Relations” në Nju Jork. Ai tha se marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe në Kosovë dhe rajon si dhe do të ketë rol transformues në shoqëri.

Duke shpjeguar pse rrethanat janë të favorshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan REL, presidenti Thaçi u shpreh se “këtë herë duket se edhe Serbia është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, ndërsa edhe Rusia duket e gatshme të pranojë një marrëveshje që do të arrihej në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Nuk do të jetë proces i lehtë arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, por është e vetmja rrugë përpara për të evituar kthimin prapa në tensione dhe konflikte”, tha presidenti Thaçi, i cili po qëndron në SHBA, për të marrë pjesë në organizimin e “Lutjet e Mëngjesit”.

Sipas Thaçit një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jetë edhe përcaktimi i kufirit në mes dy vendeve.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar, se kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë.

“Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme. Por, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme”, theksoi presidenti Thaçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!