Thaçi: 90% e qeverisë dhe 80% e popullit mbështesin korrigjimin e kufijve

schedule15:31 - 21 Shtator, 2018

schedule 15:31 - 21 Shtator, 2018

Gjatë një interviste televizive presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përveç se ka mbrojtur sërish idenë e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë, deklaroi se 90 për qind e qeverisë Haradinaj dhe 80 për qind e popullit e mbështesin gjithashtu këtë projekt.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se skena politike në vend është plotësisht në favor të dialogut, negociatave dhe të arritjes së një marrëveshjeje, duke mos e përjashtuar edhe korrigjimin e kufijve. Këtë deklaratë ai e bëri në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla.

Madje Thaçi theksoi se 80 për qind e qytetarëve mbështesin idenë e tij për rishikim të kufirit me Serbinë. Edhe pse pranon që kryeministri Haradinaj kundërshton këtë ide, kreu i shtetit tha se ministrat e Haradinaj e mbështesin plotësisht.

Edhe këtë herë Thaçi ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të ekzekutivit Haradinaj i cili paralajmëron me luftë në rast se do të lëvizen kufijtë. Ai tha se personat që flasin për luftë janë më pak të interesuarit për problem dhe konflikte.

 “Për luftë kanë folur edhe në kohën e demarkacionit me Malin e Zi”

Thaci u shpreh më se I bindur se korrigjimi I kufijve është thjesht një cështje kohe dhe se askush nuk mund ta ndalë këtë process, pasi dhe vetë qytetarët do të thonë fjalën e tyre me anë të referendumit.

 “Sot, 90 për qind e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës e mbështesin korrigjimin. 80 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit. Edhe presidenti, edhe kryeministri mund të ndërrohen, por korrigjimi do të ndodhë. 98 për qind e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e mbështesin bashkimin e Luginës me Kosovën. Ndërsa, mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin kërkesën që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovës. Nuk ka individ që do mund ta bllokojë këtë proces, sepse ne do të shkojmë në referendum dhe vetë qytetarët do ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë që debatet dhe polemikat në Kosovë vazhdojnë prej ditësh, ku pritet dhe protesta e opozitës javën e ardhshme pikërisht për të kundërshtuar idenë e Presidentit Thaçi, ende nuk dihet se kur do të ndodhë raundi tjetër i negociatave Prishtinë-Beograd në Bruksel. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!