Tetova përkujton 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

schedule08:26 - 7 Mars, 2023

schedule 08:26 - 7 Mars, 2023

Në qytetin e Tetovës është mbajtur një akademi përkujtimore për 25-vjetorin e Masakrës së Prekazit, e njohur si “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, rënies së familjes Jashari gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998.

Masakra e Prekazit është sulmi ku u vra Adem Jashari, një nga komandantët themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku me familjen e tij.

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se “Epopeja e UÇK-së” është ngjarja më e rëndësishme në historinë e re të kombit shqiptar pasi kjo, sipas tij, shënon fillimin e një epoke të re për çlirimin e Kosovës.

“Komandanti Adem Jashari mbetet simbol i përhershëm i rrugëtimit historik të shqiptarëve, figura e përbashkuar që lidh epoka dhe që reflekton përgjithmonë në frymën e lirisë. Komandanti Adem Jashari është figura sublime e një përpjekjeje shqiptare për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, figura që na bashkon dhe na frymëzon gjithnjë, figura që mbetet udhërrëfyes për të ardhmen tonë si komb”, tha Kasami.

Kreu i komunës së Tetovës gjithashtu theksoi se komandanti Jashari dhe familja e tij janë “vetë historia e dhimbshme dhe madhështore e Kosovës, ekzistenca e përhershme, kujtesa kolektive dhe horizonti i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!