“Tetori Rozë”, ministri Vengu mesazh për gratë dhe vajzat e FA: Përgjegjësi të kujdesemi për mirëqenien e efektivëve tanë

schedule11:51 - 19 Tetor, 2024

schedule 11:51 - 19 Tetor, 2024

Nga Bunavia, ku ndodhet Shkolla e Trupës, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dha një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat, pjesë të Forcave të Armatosura, në kuadër të “Tetorit Rozë”, muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

I shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, ministri Vengu u shpreh se, është përgjegjësi e Ministrisë së Mbrojtjes që të kujdeset në mënyrë të posaçme për shëndetin dhe mirëqenien e grave dhe vajzave të Forcave të Armatosura.

“Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë sociale që kemi si Ministri e Mbrojtjes dhe si FA, për t’ju gjendur pranë në çdo sfidë shëndetësore, aq më tepër që kjo sfidë ka tendencë të shtrihet dhe të bëhet më e rrezikshme. Prandaj, parandalimi dhe veprimet ndërgjegjësuese kanë një domethënie të veçantë. Ky mesazh nuk duhet të shkojë vetëm për gratë dhe vajzat, por edhe për burrat dhe djemtë, të cilët duhet të jenë mbështetje për koleget, motrat, nënat dhe bashkëshortet e tyre”, – theksoi Ministri i Mbrojtjes.

Ministri falënderoi ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu për vendosjen në dispozicion të FA të njësive lëvizëse të diagnostikimit, në mënyrë që oficeret, nënoficeret e rekrutet e reja në Bunavi të realizojnë diagnostikimin dhe kontrollet parandaluese për kontrollin e gjirit.
“Vetëm bashkë mund të ndërtojmë një mjedis, ku shëndeti dhe siguria juaj janë në themel të çdo aktiviteti që keni në FA. Unë, personalisht, së bashku me ju dhe ekipin, premtoj se do të marrim iniciativa që shëndeti juaj të jetë në bazë të çdo aktiviteti të formimit, ndërgjegjësimit dhe mirëqenies, jo vetëm për ju, por edhe për familjet tuaja”, – u premtoi ministri Vengu grave dhe vajzave në uniformë.

Një prej të prekurave nga kjo sëmundje, nënkolonel Esmihan Durbaku, gjatë fjalës së saj në këtë takim, u bëri thirrje të gjitha grave brenda familjes së FA, por edhe të gjitha grave shqiptare të mos neglizhojnë kontrollet.
Nga ana e saj, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu u shpreh se, të gjitha gratë duhet të marrin pak kohë për t’u diagnostikuar, me qëllim që zbulimi i sëmundjes të bëhet në faza të hershme: “Ne menduan që do të ishte një mundësi shumë e mirë për të folur edhe këtu e për të ndërgjegjësuar gratë, vajzat, por edhe familjarët, për rëndësinë që ka diagnostikimi i hershëm për kancerin e gjirit”, – u shpreh ministrja Koçiu, duke i cilësuar gratë dhe vajzat në uniformë një shembull frymëzimi. Ministrja e Shëndetësisë i ftoi që përveçse gjatë muajit të tetorit, ato ta kryejnë kontrollin edhe gjatë gjithë vitit.

Aktualisht, Forcat e Armatosura numërojnë 1.642 gra, nga të cilat 955 janë nën uniformë, përfshirë 395 oficere, 360 nënoficere dhe 200 ushtare, të cilat kanë mundësi të përfitojnë nga kontrollet falas në këtë muaj të ndërgjegjësimit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!