Tetë persona janë arrestuar për vepra të ndryshme penale në Tiranë. Mësohet se në pranga është vënë një 23-vjeçar me iniciale S. Rr., pasi në rrugën “Sefarin Franku” sapo ka parë punonjësit e policisë ka tentuar të fshehë një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kanabis.
Po ashtu, lidhur me rastin janë proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim të krimit D. H., 30 vjeç dhe F. K., 20 vjeç, të pranishëm në vendngjarje.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 arrestuan në flagrancë një 48-vjeçar pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe është gjetur jashtë banesës. Po ashtu, në pranga është vënë R. Sh., 34 vjeç dhe është shpallur në kërkim J. F., 44 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur disa sende personale dhe navigatorin e mjetit në pronësi të S.M.
Nga hetimet, rezulton se personat në fjalë më 2 prill kanë vjedhur edhe navigatorin e mjetit në pronësi të shtetasit R.D.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë gjatë kontrolleve kanë arrestuar në flagrancë A. Z., 41 vjeç, pasi gjatë kontrollit në tokën e tij u gjetën disa fidanë të dyshuara cannabis sattiva.
Kurse, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan:
A. L., 44 vjeç, B. Z., 56 vjeç dhe L. H., 49 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur ;
R. L., 18 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. /abcnews.al/