Në studion e ABC të Mëngjesit, Arber Selmani, shkrimtar, gazetar e aktivist, solli para publikut librin e tij të ri, “Testosteron”, një përmbledhje me 8 tregime, fragmente jete dhe reflektime të guximshme, ku autori prek tema që rrallë kush i afrohet me kaq sinqeritet: vetminë, seksin, trupin, humbjen, gjininë, por edhe fundin e dashurive të mëdha dhe të botës së brendshme.
Selmani e thotë qartë: “Të gjitha tregimet mbajnë si personazh burra, prandaj ka ardhur edhe ky titull”. Dhe jo vetëm kaq. “Testosteron” është fjala ndërkombëtare, e kuptueshme për të gjithë, por mbi të gjitha është hormoni që shpesh del jashtë kontrolli tek njerëzit, duke çmontuar kufijtë e sjelljes sonë.
Burra që thyhen, gra që flasin në heshtje dhe një narrator që nuk është gjithmonë burrë
Në “Testosteron”, autori rrëfen botën e burrave: baballarë, djem, shokë, dashnorë.
Por rrëfimtari nuk është gjithmonë mashkull.
Selmani provokon: “Narratori nuk është gjithmonë burrë. Ata që e lexojnë do ta kuptojnë që e kam shkruar edhe duke qenë grua.”
Dhe madje shkon më tej: “Kam shkruar edhe në zërin e një transgjinoresh, çfarë përjeton ajo.”
Ky libër nuk njeh kufij gjinorë, i kalon, i çan, i përmbys.
Çfarë ndodh me Flamurin dhe vajzën e tij disleksike? A është Brunilda G. ajo që do të zbulojë të vërtetën? Cili është “katalogu” i burrave dhe grave që duhen shfletuar gjatë jetës?
A është shtëpia vetëm aty ku ka një baba? Këto janë vetëm disa prej nyjeve narrative që Selmani vendos si kurthe emocionale, si pyetje pa përgjigje të shpejtë, por që mbeten në dorë të lexuesit.
Autori e pranon: “Janë tregime të martesa të dështuara, jetëve të dyfishta, të sëmundjeve që vijnë dhe të rrotullojnë rrjedhën e jetës.”
Ngjarjet shpalosen në Shqipëri, Kosovë, Norvegji dhe vende të tjera, duke sjellë një hartë njerëzore të dhimbjeve dhe të çlirimeve të vogla që e përbëjnë përditshmërinë.
“Testosteron” Arbër Selmani provokon e guxon të prekë trupin, seksin, humbjen dhe… fundin
schedule12:29 - 14 Nëntor, 2025
schedule 12:29 - 14 Nëntor, 2025
